KLP nis procedurën për renditjen e kandidatëve për vendin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa rrëzoi me shumicë votash tre raste të paraqitura si konflikt i mundshëm interesi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi të martën një metodologji orientuese për garën për Prokuror të Përgjithshëm, ndërsa me votat e shumicës së anëtarëve u rrëzuan tre pretendime për konflikt të mundshëm interesi. Pas kësaj vendimarrjeje, të gjithë anëtarët e KLP-së do të jenë pjesë e procesit të pikëzimit të tre kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në një komunikim për mediat, KLP njoftoi se ishte deklaruar mundësia e pasjes së konfliktit të interesit nga anëtari i KLP, Tartar Bazaj, ndaj të cilit ka filluar një procedim për verifikimin e figurës dhe prokurorja Esmeralda Keshi, ndaj së cilës ka filluar një procedim disiplinor i referuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në të dy rastet, Këshilli ka rrëzuar me shumicë votash mundësinë e konfliktit. Për rastin e Bazajt, prokurori Kosta Beluri dhe kryetari Gent Ibrahimi kanë votuar në favor të konfliktit të interesit, ndërkohë që pretendimi i Keshit është mbështetur vetëm nga Beluri.
KLP bëri me dije se në rastin e Bazajt, kryeprokurorja aktuale, Arta Marku kishte hequr dorë nga kompetenca duke e deleguar atë. KLP po ashtu arsyetoi se Prokuroria e Përgjithshme nuk merrte dot masa disiplinore.
Vetë Kosta Beluri ka referuar mundësinë për konflikt të interesi të tij, për shkak të referimit nga KPK për masë disiplinore, por edhe kjo u rrëzua me 10 vota.
Ndryshe nga tre anëtarët e KLP-së, Besnik Cani, i cili ka qenë më herët këshilltar i Arta Markut si dhe është referuar për masë disiplinore nga KPK nuk deklaroi mundësi për konflikt interesi. KLP bëri me dije se nuk kishte deklarim për konflikt as nga prokurori Vatë Staka, i kualifikuar nga Prokurorja e Përgjithshme, Marku si kandidat për në KLP edhe pse ndaj tij në momentin e zgjedhjes kishte një çështje të hapur nga Prokuroria e Shkodrës.
“Të tjerat janë konsideruar në përputhje me ligjin për “konfliktin e interesit,” bëri me dije KLP, ndërsa theksoi se vetëm tre rastet e mësipërme u diskutuan në mbledhje.
KLP po ashtu miratoi me 11 vota “Metodologjinë orientuese për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”. Sipas njoftimit bëhet fjalë për një dokument ndihmës për Këshillin dhe do të ketë përdorim të brendshëm.
Në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm janë kryeprokurorja aktuale e Përkohshme, Arta Marku dhe prokurorët Olsian Çela dhe Fatjona Memçaj. Tre kandidatët në garë do t’i nënshtrohen vlerësimit me pikë dhe renditjes nga KLP, përpara se lista t’i dorëzohet Kuvendit.
Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 ose 84 vota të deputetëve të Kuvendit dhe renditja e kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është parashikuar si mekanizëm zhbllokues për rrethanat kur nuk arrihet një mazhorancë e cilësuar mes forcave të ndryshme politike. Në kushtet aktuale të bojkotit të Kuvendit nga opozita, zgjedhja e kryeprokurorit të ardhshëm mbetet sërish në vullnetin e mazhorancës. Megjithatë në rast se Kuvendi nuk e zgjedh dot, kandidati i renditur i pari nga KLP emërohet automatikisht si Prokuror i Përgjithshëm.
Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë kompetenca të kufizuara në kuadër të ndryshimeve ligjore, por zgjedhja e tij konsiderohet gjerësisht si një test për reformën në drejtësi.