Ministria e Mbrojtjes njoftoi se numri i viktimave të konfirmuara ka mbërritur në 48, ndërsa rreth 4 mijë të tjerë kanë mbetur të pastrehë. Ndërsa donacionet mbërrijnë nga e gjithë bota dhe qeveria përballet me pikëpyetje mbi nivelin e përgatitjes së saj për situata krize, policia arrestoi një përdoruese Facebook-u për “përhapje paniku”, ndërkohë që një pjesë e banorëve janë larguar nga Durrësi.
Në ditën e katërt pas tërmetit me magnitudë 6.4 që goditi Shqipërinë qendrore, numri i viktimave të konfirmuara arriti në 48 dhe numri i të plagosurve në 900. Ministria e Mbrojtjes, e cila është përgjegjëse për koordinimin e ndihmës, njoftoi se sipas një vlerësimi paraprak, rreth 4 mijë shqiptarë kanë mbetur të pastrehë.
Një agjenci qeveritare që zakonisht shemb ndërtimet pa leje njoftoi se ka filluar punën për shembjen e pesë pallateve në fshatin Thumanë, zona më e goditur nga tragjedia.
Ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja pakësohen, qeveria po përballet me kritika në rritje për aftësinë e saj për t’u përballur me një situatë të tillë. Ndonëse ndihmat kanë qenë aq të bollshme nga qytetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë sa kryeministri deklaroi dy ditë më parë se nuk kishte më nevojë dhe nuk kishte ku t’i magazinonte, në Durrës mëngjesin e së premtes njerëz në nevojë u panë duke u shtyrë për të marrë një batanije apo ndihma të tjera, ndërsa goditjet e panumërta të pastërmetit kanë shkaktuar rraskapitje fizike dhe mendore.
Qeveria po përballet me pikëpyetje mbi përgatitjen paraprake të strukturave shtetërore për përballjen me një situatë të tillë krize, ndërsa kryeministri Edi Rama kërcënoi “portalet” me mbyllje duke argumentuar se “po përhapin panik,” por pa dhënë prova për një konkluzion të tillë dhe pa sqaruar se për kë “portal” e ka fjalën. [Link]
Ministria e Brendshme hyri në veprim pak pas kërcënimit të Ramës në Twitter, duke njoftuar se ka vënë në ndjekje penale [Link] dy administratorë të faqes popullore “Jeta osh qejf” si dhe ka arrestuar një vajzë 25 vjeçare në Durrës, duke e akuzuar këtë të fundit si përgjegjëse për përhapje paniku përmes postimeve ne faqen e saj në Facebook. Në një mënyrë shumë të pazakontë, Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi nuk bëri të ditur se për çfarë vepre penale dyshoheshin dy administratorët e “Jeta osh qejf”, ndërsa njoftimi për arrestimin e 25 vjeçares Xhuli Aliaj është bërë në bazë të nenit 267 të Kodit Penal, “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Në mënyrë po kaq të pazakontë, Policia e Shtetit i identifikoi të dyshuarit me emër dhe mbiemër, ndërkohë që në praktikën e saj të zakonshme të njoftimeve u referohet të dyshuarve vetëm me iniciale. Vajza 25 vjeçare nga Durrësi pyeste në Facebook nëse kompleksi i depozitave të naftës dhe gazit në Porto Romano ishte i sigurt përballë një tërmeti, ndërsa në një rast kishte bërë thirrje për banorët që të largoheshin nga Durrësi.
Neni 267 i Kodit Penal dënon rastet kur një individ me qëllim përhap informacione të rreme që të krijojë panik, por prokurorisë i duhet që të vërtetojë qëllimn dashakeq të personit të akuzuar për të siguruar një dënim në gjykatë. Policia shkroi në njoftimin e saj se postimet e Aliajt ishin “me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëpërmjet efekteve të këtyre lajmeve”, por nuk dha ndonjë provë që të sugjeronte se këto postime kishin për qëllim të përhapnin panik.
Paralelisht me arrestimin e “panikpërhapësve”, policia njoftoi se ka arrestuar dy persona nga rradhët e veta, të cilët u xhiruan nga qytetarë të tjerë duke zhvendosur ndihma nga personat në nevojë për te banesat e tyre private. Ironikisht, videot denoncuese që sollën arrestimin u publikuan pikërisht te “Jeta osh qejf”.
Fushata të ndryshme për mbledhjen e fondeve në ndihmë të personave të prekur nga tërmeti kanë arritur të grumbullojnë miliona euro nga qytetarët, ndërsa nën presion nga rrjetet sociale, një numër biznesmenësh shqiptarë u vunë në rradhë për të deklaruar se do të japin miliona euro të tjera ndihmë.