Katër organizata kanë shprehur në njoftime të veçanta për shtyp shqetësimin se qeveria po abuzon me gjendjen e emergjencës të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit për të avancuar axhenda kontroverse të prezantuara fillimisht që para krijimit të gjendjes së emergjencës.
Qeveria shqiptare shpalli më 27 nëntor gjendjen e jashtëzakonshme për qarqet Tiranë dhe Durrës me anë të një vendimi të mbështetur në nenin 174 të kushtetutës, e cila i lejon asaj të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për një kohë prej 30 ditësh. Kushtetuta sanksionon se qeverisë i lejohet të zgjasë gjendjen e fatkeqësisë natyrore përtej këtij afati vetëm me vendim të parlamentit. Por ndonëse nga kjo shpallje kanë mbetur edhe 24 ditë nga sot, gjashtë ditët e kaluara kanë mjaftuar për të ngritur pikëpyetje shqetësuese mbi keqpërdorimin e kësaj fatkeqësie nga ana e qeverisë për të avancuar axhenda kontroverse, të cilat qeveria i ka propozuar që para gjendjes së fatkeqësisë natyrore por që nuk i ka çuar dot përpara për shkak të reagimit negativ vendës dhe ndërkombëtar.
Të martën, ndërsa banorët e Tiranës dhe Durrësit ishin ende duke marrë veten nga tronditja e pësuar në një javë goditjesh pothuajse të pandërprera tërmetesh që ia bënë nervat copë, Instituti i Studimeve Politike, një organizatë në Tiranë, publikoi një njoftim për shtyp për t’i bërë thirrje autoriteteve publike të “respektojnë lirinë e medias dhe standardet e transparencës”.
Tre ditë më parë, Këshilli Shqiptar i Medias ngriti shqetësimin se qeveria po përpiqet të shfrytëzojë gjendjen e jashtëzakonshme për të censuruar median, një dëshirë që Rama e ka shprehur në mënyrë të përsëritur që para se të binte tërmet.
Po të martën, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, publikoi një deklaratë tjetër në të cilën i bëri thirrje qeverisë të respektojë kushtetutën e vendit dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, e alarmuar nga deklaratat publike të disa zyrtarëve që sugjeruan se një paketë e shumëkritikuar ligjesh e prezantuar nga kryeministri Edi Rama nën sloganin propagandistik Kap Çfarë të Kapësh, mund të miratohet në parlament jashtë procedurës së zakonshme parlamentare përmes një Akti Normativ.
Gjithashtu, Instituti Shqiptar i Shkencave, një organizatë që punon në nxitjen e transparencës, i bëri thirrje qeverisë të bëjë transparente kontribuesit dhe shumat e kontribuuara në llogaritë e hapura nga Ministria e Financave për të mbledhur fonde në ndihmë të banorëve të dëmtuar nga tërmeti.
Shqetësime për lirinë e shprehjes
Kryeministri Edi Rama shpalli ankesën e rradhës ndaj medias javën e kaluar ndërsa tërmetet vijonin të binin, duke sugjeruar mëngjesin e 28 nëntorit: “Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtezakonshme, do [të] jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik!”
Policia e shtetit nuk vonoi për të ndjekur këshillën e kryeministrit, i cili nuk shpjegoi se si kishte dalë në konkluzionin që ishte media ajo që kishte hapur panik. Policia referoi në prokurori dy administratorë të faqes popullore në mediat sociale Jeta osh qef si dhe arrestoi një studente 25 vjeçare. Për Institutin e Studimeve Politike, dukshëm ka një lidhje mes një ankese të karakterit politik nga ana e kryeministrit dhe veprimit të policisë, gjë që sugjeron një tejkalim të sjelljes normale të policisë në një vend demokratik.
“Vendimi i shpallur fillimisht nga zyrtarë të lartë politikë dhe më pas i zbatuar nga Policia e Shtetit dhe instrumente të tjera shtetërore për ndalim, arrestim apo penalizim administrativ të një portali online, të një studenti dhe së fundi edhe të dy aktivistëve të shoqërisë civile, janë shprehje e devijimit nga praktikat demokratike të qeverisjes dhe tregues i mungesës së respektit për parimet kushtetuese që lidhen me të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes,” shkroi ISP në njoftimin për shtyp.
“Sulmet e përsëritura verbale dhe institucionale të kryeministrit ndaj medieve dhe gazetarëve, përpjekja për inkriminimin kolektiv të tyre dhe për denigrim të raportimeve mediatike përbën gjithashtu një zhvillim shqetësues, devijim nga praktikat demokratike dhe kërcënim për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes,” vijon më tej njoftimi.
ISP i shtohet deklaratës së të shtunës së Këshillit Shqiptar të Medias, i cili vërejti se kryeministri Edi Rama po shfrytëzon gjendjen e emergjencës për të bërë atë që ka pasur dëshirë të bënte edhe pa emergjencë.
Rama pëlqen të gjejë një armik te media sa herë që përballet me akuza për korrupsion në administratën e tij apo për shkelje të premtimeve të veta apo për paaftësi në qeverisjen e vet dhe edhe në këtë rast ka bërë deklarata të njëpasnjëshme kundër medias. Në deklaratën e fundit, të martën, Rama e quajti median “qenef”, një lloj haleje primitive e përbërë nga një gropë dhe dy dërrasa ndërsa të hënën mbajti një leksion mbi rolin e medias duke sugjeruar se ajo duhet të kryejë rolin e mjekut për trajtimin e gjendjes psikologjike të popullsisë.
KÇK me akt normativ
Kryeministri Edi Rama prenzatoi para tërmetit disa ndryshime ligjore të paqarta, që sipas tij, synojnë të ashpërsojnë masat kundër shkelësve të ligjit por që për kritikët e tij përbëjnë një tentativë për të krijuar një shtet policor të ngjashëm me diktaturat e ndryshme që asgjësojnë gjykatat dhe mbështeten në vendime administrative për të ushtruar pushtetin e partisë përmes dhunimit të të drejtave themelore të njeriut.
Të martën, Komiteti Shqiptar i Helsinkut publikoi një deklaratë të pazakontë të titulluar: “Kërkohet transparencë, konsultim gjithëpërfshirës dhe respektim i Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për paketën speciale “ANTI-KÇK”.
“Referuar deklaratave publike të përfaqësuesve të ekzekutivit, vlerësohet se kjo nismë do të shqyrtohet në Kuvend në formën e një akti normativ me fuqinë e ligjit. Kjo do të thotë se ky akt do të futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit, duke përshpejtuar në këtë mënyrë procedurën e shqyrtimit të tij dhe duke cenuar kështu konsultimin gjithëpërfshirës dhe transparent,” shkroi KShH në deklaratë.
Të hënën, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj hyri në një shkëmbim publik akuzash për vjedhje ndihmash me disa aktivistë të Aleancës për Teatrin. Këto të fundit kishin publikuar një video që tregonte se si disa pako që ngjanin si ndihma ishin shkarkuar në mjediset e Ministrisë së Brendshme. Lleshaj reagoi i zemëruar në Facebook ndaj akuzës se ndihmat po vidheshin duke thënë se në fakt ato ndihma ishin provë që po shkarkoheshin nga SHBÇA, zyra e policisë që heton keqbërjet e vetë policëve. Lleshaj iu drejtua akuzuesve si “hajdutë si puna juaj” por pa dhënë prova për këtë akuzë.