Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se kishte verifikuar dënimin e Valdrin Pjetrit për posedim droge në Itali, ndërsa njoftoi nisjen e procedimit penal për falsifikim të dokumentit të vetëdeklarimit.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se kishte verifikuar pas kërkesës së Partisë Demokratike dënimin e Valdrin Pjetrit për posedim droge në Itali, ndërsa njoftoi nisjen e procedimit penal për falsifikim të dokumentit të vetëdeklarimit që ai kishte bërë.
“Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri, përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2 pika 1 gërma “a” e ligjit Nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, për shkak të dënimit nga Gjykata e Firences me vendim të formës së prerë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po ashtu prokuroria bëri me dije se Pjetri për shkak të “mosdeklarimit prej tij në Formularët e Vetëdeklarimit të arrestit në flagrancë, ndjekjes penale ndaj tij në Itali, mosdeklarimit të dënimit penal të formës së prerë dhënë ndaj tij nga Gjykata e Firences dhe mosdeklarimit të masës së dëbimit nga shteti Italian” u referua në Prokurorinë e Tiranës për akuzën e “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
I kontaktuar me telefon nga BIRN Pjetri, fituesi i zgjedhjeve pa garw pwr kreun e bashkisë së Shkodrës, që dha dorëheqjen pas akuzave për fshehje të dënimit pa bërë betimin, tha se mbrojtja e tij do të përgatiste një përgjigje (mbi vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme) në ditët në vijim.
Pas dorëheqjes së Pjetrit Bashkia e Shkodrës vijon të drejtohet nga Voltana Ademi, mandati i të cilës ka mbaruar në verën që shkoi, por që nuk mund të ndryshohet në mungesë të një kryebashkiaku tjetër dhe në mungesë të një date për zgjedhjet. Ndërkohë Këshilli Bashkiak u rinovua dhe anëtarë të tij janë vetëm kandidatë për partive që morën pjesë në zgjedhjet e bojkotuara nga opozita.
Veç Pjetrit edhe ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, u detyrua të linte detyrën pasi u mësua se kishte fshehur arrestimin dhe çështjen penale në Greqi. Në verifikim është kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës.