Prokuroria e Krujës ankimoi në Gjykatën e Apelit në Tiranë vendimin për lirimin me kusht nga burgu të ish-anëtarit të Bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Prokuroria e Krujës njoftoi të mërkurën se ka ankimuar vendimin e datës 14 janar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për pranimin e kërkesë për lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Endrit Dokle. Në tetë faqe apel prokuroria pretendon se ishte cënuar procesi i rregullt dhe se Dokle nuk përfitonte liri me kusht në asnjë prej rrethanave të parashikuara nga ligji.
Sipas akuzës Dokle ishte përsëritës, nuk ishte penduar dhe nuk kishte vuajtur kohën minimale të dënimit për t’u konsideruar për lirim me kusht. Një avokat mbrojtës i Dokles nuk qe e mundur të kontaktohej.
Prokuroria e nis ankimin në lidhje me shkeljet proceduriale të kryera sipas saj nga ana e gjyqtares Enkeleida Hoxha. Në ankim theksohet se gjyqtarja Hoxha nuk mund të ishte e paanshme në këtë gjykim pasi kishte shqyrtuar më parë dhe vendosur në favor të Dokles kërkesa të tjera penale si ndryshimi i llojit të sigurisë së burgut, njohje paraburgimi, amnisti etj. “Fakte këto që tregonin se kjo gjyqtare nuk krijonte besimin e duhur për të vazhduar të shqyrtonte këtë çështje”, citohet në ankim ku shtohet se, gjykata nuk i ka njohur ende me arysetimin e vendimit për rrëzimin e kërkesës për përjashtim.
Prokuroria argumenton më tej se nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës dhe për ata që kanë kryer disa prej krimeve që dënohen me burgim të përjetshëm. “Ajo që duhet të vlerësohej dhe të analizohej nga instiucionet e mësipërme dhe prej gjykatës është dhe fakti se kërkuesi është dënuar pra është përsëritës dhe me vendimin nr.29 dt 15.04.2013 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda”, thuhet në apel.
Sipas organit të akuzës për të marrë në konsideratë lirimin, nëse plotësoheshin kriteret e tjera do duhej, sipas Kodit Penal në fuqi, që i dënuari të ketë vuajtur jo më pak se 35 vite burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit të ketë mbajtur sjellje shembullore. Ndërsa nëse rasti kërkon zbatimin e Kodit Penal të vjetër, të paktën 25 vjet.
Sipas prokurorisë nga përllogaritja e periudhës së dënimit të vuajtur prej Dokles deri më datën e raportit janë përkatësisht 25 vjet e 6 muaj e dhjetë ditë, por kjo duke përfshirë periudhën e amnistisë e njohur me vendim gjykate përkatësisht 4 vite.
Prokuroria vlerëson se Dokle nuk e ka përmbushur për asnjë nga rastet kriterin formal, lidhur me kohën efektive të vuajtjes së dënimit. “Në rastin konkret duhen hequr kohën e përfituar me amnisti, rreth 5 vite, kështu kërkuesi konsiderohet se ka vuajtur për efekt të nenit 64 dhe 65 të K.Penal rreth 20 vite pra nuk ka plotësuar kohën e vuajtjes së dënimit”, argumenton prokuroria.
Po ashtu theksohet se llogaritja e amnistisë si dënim i vuajtur është në shkelje të ligjit. “Sipas ligjas në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar me amnisti ose falje. Pra për sa më sipër nuk provohet e plotësuar kushti kryesor e cila përbën një parakusht procedurial pa të cilën gjykata nuk mund të analizojë arsyet e veçanta që të legjitimojnë lirimin e tij”, thuhet në apelim.
Sipas prokurorisë, në rastin konkret nuk ka fakte që qëllimi i dënimit penal për Doklen është realizuar me riedukimin e tij. “Fakti që kërkuesi nuk shpreh pendesë i bën dhe raportet e shërbimit të provës dhe IEVP, në lidhje elementin e riedukimit të të dënuarit Endrit Dokle, të pa plota për të vlërësuar qëllimin e riedukimit të tij”, citohet në ankim.
Prokuroria thekson se nuk shpjegohet se ku bazohet gjykata për të arritur në përfundimin se ishin plotësuar kushtet e veçanta, përveç pretendimit të avokatit të kërkuesit në seancë se ai “vuan nga semundje depresive”.
Në fund në ankim thuhet se gjykata ka vendosur në kundërshim me Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë lidhur me vendosjen në periudhë prove për një periudhë 5-vjeçare. Sipas prokurorisë, koha e provës duhet të jetë e barabartë me kohën e mbetur të masës së dënimit me burgim për të dënuarin që lirohet me kusht.
Prokuroria kërkon ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kërkesë së Endrit Dokles për lirim me kusht si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Dokle ishte i vetmi prej 4 anëtarëve drejtues të së ashtu quajturës Banda e Durrësit të dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në vitin 2012 me burgim të përjetshëm që ishte ende në qeli. Pas një vendimi të debatueshëm Gjykatës së Lartë në vitin 2014, e cila prishi dënimet me burg e përjetë për Lulzim Berishën, Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullain, të tre këta të fundit u liruan njëri pas tjetrit me vendime gjyqësore të dyshimta, duke përfituar nga amnistitë e shumta dhe ulja e dënimint.
Dokle, i dënuar për vrasje dhe për një sërë atentatesh ndaj ish-ortakut dhe më pas rivalit të tij në bandë Lulzim Berisha, ishte i vetmi që nuk përfitoi nga vendimi i Gjykatës së Lartë dhe vuajti 3 vjet më shumë burg se Berisha.