Një rritje dramatike e numrit të infektimeve ne koronavirus në vendet e Azisë Juglindore gjatë ditëve të fundit duket se ka vënë në dyshim teorinë se moti më i ngrohtë mund të pengojë përhapjen e koronavirusit, raporton Reuters.
Një numër relativisht i vogël infektimesh në shumë vende të Azisë Juglindore është cituar si një provë e mundshme për teorinë se moti më i nxehtë ndalon virusin, gjë që i ka dhënë shpresë Europës dhe Shteteve të Bashkuara se situata do të përmirësohet me ardhjen e pranverës. Por gjatë ditëve të fundit, disa vende, nga Indonezia te Tailanda, Malajzia apo Filipinet kanë shënuar një numër të lartë infeksionesh me COVID-19 gjë që ka detyruar këto vende të shtojnë me shpejtësi numrin e analizave. Kjo përbën një shenjë se faktorët sezonalë mund të kenë vetëm një rol të kufizuar në shkallën e përhapjes së koronavirusit.
Agjencia e lajmeve Reuters citon disa ekspertë që argumentojnë se teoria e motit të nxehtë si armik i virusit duhet të merret me rezerva dhe se rastet me COVID-19 mund të mos reduktohen për shkak të motit.
Deri mesditën e së Hënës më 16 Mars, COVID-19 ka infektuar gati 170 mijë persona nga të cilët, 6,500 kanë vdekur.
Megjithëse shumë pak gjëra njihen mbi virusin e ri, disa simptoma tregojnë ngjashmëri me gripin dimëror, i cili është më i përhapur në temperatura më të ftohta, por kjo pjesërisht i dedikohet edhe përqendrimit të njerëzve në mjedise të mbyllura në kohë dimri në shkallë më të lartë se gjatë verës.
Vendet ku virusi ka pasur më shumë pasoja, si Vuhani në Kinën qendrore, veriu i Italisë apo disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, kanë temperatura dhe klima të ngjashme.
Epidemia SARS në vitet 2002-3002 u lehtësua gjatë muajve të verës por nuk është e qartë nëse ishte vera apo masat më të ashpra nga autoritetet e shëndetit publik që ndalën këtë sëmundje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi këtë muaj se nuk ka prova që temperatura mund të luajë një rol në shpërthimin e koronavirusit megjithëse vlerësoi se studimet në këtë drejtim mundet të jenë gjithsesi të vlefshme.
Në rastin e vendeve të Azisë Juglindore, disa ekspertë mendojnë se numri i vogël i infektimeve me COVID mund të jetë pasojë e numrit të vogël të testimeve të kryera nga këto vende dhe jo faktorëve të klimës.