Pandemia e koronavirusit kërcënon ta çojë ekonominë greke në recesion, në një kohë kur ajo sapo kishte lënë pas vitet e kaluara të krizës dhe masave shtërnguese në vend.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u tha grekëve të martën se vendi ishte “në luftë” me COVID-19 dhe paralajmëroi se masat për të luftuar pandeminë do të dëmtonin ekonominë e brishtë greke.
Rreth 387 njerëz në Greqi kanë testuar pozitivë për koronavirus COVID-19 që nga 26 shkurti; pesë persona kanë vdekur dhe 70 janë duke u trajtuar në spital, 11 prej të cilëve janë në kujdes intensiv.
Ashtu si shumica e kontinentit, qeveria konservatore e Greqisë, e udhëhequr nga Demokracia e Re, ka mbyllur shkolla, dyqane, restorante, bare, kafene, qendra tregtare, teatro dhe kinema në përpjekje për të vonuar përhapjen e virusit dhe për të lehtësuar barrën ndaj një sistemi shëndetësor publik tashmë të shkatërruar nga vitet e vështira gjatë dekadës së kaluar.
Qeveria ka thënë se do të shpenzojë 79 milionë euro për të pajisur spitalet me staf dhe se do të blejë pajisje shëndetësore dhe klinika private.
Shumica e punonjësve janë duke punuar në distancë, ndërsa maturantët do të ndjekin kurse dixhitale për t’u përgatitur për provimet e tyre përfundimtare.
Mitsotakis, në një fjalim drejtuar kombit, u kërkoi punëdhënësve që të mos pushojnë nga puna stafin dhe tha se qeveria e tij po përgatiste një sërë masash për të ndaluar falimentimin e kompanive private.
“Jemi në luftë”, tha ai, “me një armik që është i padukshëm, por jo i pathyeshëm.”
Ai paralajmëroi, megjithatë, se masat e marra për të luftuar pandeminë do të “godisnin rëndë ekonominë”, në një kohë kur ajo sapo kishte lënë pas vitet e krizës financiare.
Duke folur një ditë më parë, zëdhënësja e qeverisë Aristotelia Peloni u tha gazetarëve se “muaji tjetër do të jetë shumë i vështirë. Do të nevojitet seriozitet, përgjegjshmëri dhe përmbajtje.”
Duke iu nënshtruar presionit, Kisha Ortodokse Greke ka pranuar të pezullojë meshat e përditshme dhe u bëri thirrje grekëve të moshuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për t’u mbrojtur. Dasmat dhe pagëzimet gjithashtu do të pezullohen.
Dy fshatra në Greqinë veriore, Damaskinia dhe Dragasia, janë futur në karantinë duke pasur parasysh numrin e lartë të rasteve me koronavirus në zonë. Lideri i komunitetit në Damaskinia u bëri thirrje autoriteteve të mos i braktisin fshatrat, duke theksuar se shumica e banorëve të tyre janë të moshuar.
Autoritetet gjithashtu duhet të kufizojnë lëvizjen në kampin e refugjatëve dhe emigrantëve Moria në ishullin Lesbos, duke i lejuar ata që jetojnë atje të dalin nga kampi vetëm midis orës 07:00 dhe 19:00.
Qytetarët grekë që kthehen në vend pritet të vetëizolohen për 14 ditë.
Një fushatë e nisur nga Ministria e Shëndetësisë përdor sloganin “Ne rrimë në shtëpi” për të inkurajuar distancimin shoqëror.