Në 24 orët e fundit u testuan 60 të dyshuar dhe u zbuluan 4 raste të reja të prekura me COVID-19, ndërkohë që një 66-vjeçar nga Lushnja humbi betejën me sëmundjen në Spitalin Infektiv në Tiranë.
Numri i personave të prekur nga koronavirusi i ri COVID-19 në Shqipëri u rrit në 59 të mërkurën, duke shënuar 4 raste të reja në 24 orët e fundit. Dy prej personave të prekur kanë humbur tashmë betejën me sëmundjen.
Eugena Tomini, shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik deklaroi të mërkurën se ishin kryer 60 testime të reja, prej nga rezultuan 4 raste pozitive. Tre prej pacientëve të rinj janë kontakte të personave të infektuar më parë, ndërsa një 63-vjeçar nën trajtim mjekësor konsiderohet rast i ri.
Gati gjysma e të infektuarve ose 30 prej tyre po trajtohen në Spitalin Infektiv në Tiranë. Sipas Tominit, vetëm tre prej pacientëve janë në trajtim intensiv.
Të dhënat nga ecuria e sëmundjes në Shqipëri janë deri më tani mikse. Një 66-vjeçar nga Lushnja ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurës në spitalin Infektiv –ku ndodhej prej ditësh në respirim të drejtuar, ndërsa personi i parë i identifikuar si i infektuar në Shqipëri rezultoi negativ në testimin e parë të së martës.
Për të konfirmuar shërimin e “pacientit zero” nevojiten testime të tjera.
Të katërta rastet e reja janë shënuar në Tiranë, duke e çuar numrin total të të prekurve në 42. Shifrat nuk kanë ndryshuar për 5 vatrat e tjera në Fier, Durrës, Elbasan, Lushnje dhe Rrogozhinë.
Mes personave të prekur, nëntë prej të infektuarve janë mjekë dhe infermierë. Tetë prej tyre punojnë në Sanatoriumin “Shefqet Ndoqi” në Tiranë, ndërsa një mjek tjetër është identifikuar si pozitiv në spitalin rajonal të Durrësit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, koronavirusi i ri është përhapur në 159 vende të botës, duke infektuar 184 975 njerëz dhe shkaktuar vdekjen e 7529 personave. Në Europë, Italia mbetet vendi më i goditur nga virusi me 345 të vdekur deri mbrëmjen e së martës dhe 2503 viktima në total.