Qytetarët, drejtuesit e mjeteve dhe administratorët e njësive tregtare vazhdojnë të mos respektojnë oraret e kufizimit të lëvizjes të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së epidemisë.
Policia e shtetit njoftoi të dielën masat e marra ndaj shkelësve të masave kufizuese të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Në njoftim thuhet se në të gjithë vendin, janë evidentuar 25 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilëve u janë hequr lejet e drejtimit dhe u janë bllokuar mjetet
Policia ka ndëshkuar 89 qytetarë me 10 mijë lekë gjobë secili, pasi kanë lëvizur jashtë orarit të lejuar pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Ndërsa 5 të tjerë janë ndëshkuar me masë administrative 20 mijë lekë dhe u janë bllokuar mjetet për 3 muaj, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra.
Në të gjithë vendin janë penalizuar me gjobë 100 mijë lekë secili administratorët e 13 njësive, të cilët nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes së aktivitetit.
Policia njofton se duke filluar nga dita e hënë, nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shtëtije, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë.
“Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa”, citohet në njoftimin e policisë ku shtohet do të gjobiten të gjithë ata këmbësorë të cilët nuk do të prezantojnë email-in apo mesazhin konfirmues nga e-Albania.