Agroturizmi më i famshëm në Shqipëri po i mundëson transportin dhe shitjet online blegtorëve në zonën e Lezhës, tregu i të cilëve u zhduk me mbylljen e restoranteve.
Që prej vënies në zbatim të masave shtrënguese të qeverisë për mbrojtjen nga koronavirusi i ri, sigurimi tregut për shpendët është kthyer në një mision të vështire për Nard Kolecin nga fshati Fishtë i Lezhës.
Fermeri 37-vjeçar aktualisht ka në mbarështim 4 mijë shpend të llojeve të ndryshme, 200 prej të cilave janë bërë gati për treg prej kohësh. Por mbyllja e restoranteve ka ulur ndjeshëm kërkesën për këtë produkt, duke e vënë në vështirësi fermerin, i cili thotë se kjo situatë e gjeti të papërgatitur.
“Puna ime është e lidhur me restorantet, por duke qenë se ata janë mbyllur tani nuk kam ku ti tregtoj,” tha Koleci. “Kjo situata na zuri shumë të papërgatitur dhe na ka sjell vështirësi të shumta,” shtoi ai.
Prej disa ditësh Koleci ka nisur shitjet online me ndihmën e agroturizmit “Mrizi i Zanave”, i cili i ka siguruar atij dhe blegtorëve të tjerë nga Lezha transportin me makinë frigoriferike, por ankohet se tregtia në distancë nuk e ka zëvendësuar kërkesën nga restorantet.
“Kjo ishte periudha me e mirë e tregtisë për shpendët, por që u bllokuam nga kjo situatë,” thotë Koleci. Fermeri tregon se kosto e ushqimit ditor të shpendëve që disponon është 8 mijë lekë, ndërsa shpreh shqetësimin se sëfundmi është rritur dhe çmimi i produkteve për ushqimin e shpendëve.
“Kohët e fundit është rritur dhe çmimi i produkteve që përdorim për ushqimin e tyre me 10 mijë lek për kuintal,” tha ai. “Them pa frikë se jemi në një situatë alarmante dhe nëse kjo do vazhdoj gjatë unë për vete do shkoj drejt falimentimit” shtoi Koleci
Në situatë të ngjashme është edhe Tonin Shtjefni, i cili merret me mbarështimin e bagëtive të imëta. Në fermën e tij aktualisht ka 200 krerë keca të cilët janë gati për shitje, por duke qenë se punën e ka të lidhur me restorantet tregu është bllokuar.
“Mbajtja e bagëtive të imëta është me shumë kosto dhe ne po shkojmë drejt falimentimit të sigurt,” tha ai, duke nënvizuar se maksimumi edhe për dy javë ka të siguruar ushqimin për bagëtitë, pastaj mund t’i ngordhin se nuk ka me çfarë t’i ushqejë.
“Unë me këtë profesion mbaj familjen, se si do t’ia dal nuk e di, sepse me çfarë shikoj kjo historia e virusit do të vazhdojë gjatë,” tha Shtjefni.
Fermerët kërkojnë mbështetjen e qeverisë, pasi në të kundërt pasojat e krizës për ta do të jenë të mëdha.
“Shteti thotë izolohu por s’ka menduar fare për ne,” tha Shtjefni. “Unë e kam kartën e fermerit, por askush nuk më ka ardhur të më thotë si po ja del këto ditë,” shtoi ai.
Shtejfni nënvizoi se blegtorët e kanë të vështire të përballojnë koston e ushqimit për kafshët për sa kohë tregu për bagëtitë është tkurrur.
“I kërkoi shtetit që të kthejë sytë dhe nga blegtoria, pasi në të kundërt ne do të falimentojmë,” përfundoi Shtjefni
Për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve në zonën e Zadrimës, pionieri i agriturizmit në Shqipëri, Altin Prenga – i cili është gjithashtu prodhues i produkteve bujqësore dhe blegtorale, po ju mundëson transportin për shitjet online të shpendëve dhe bagëtive të imëta.
“Prej mbylljes së restorantit si rezultat i masave të qeverisë për mospërhapjen e koronavirusit, unë kam aplikuar shitjet online,” tha Prenga.
“Fatmirësisht ka kërkesa dhe po shesim shumë në qytetet e mëdha dhe në këtë mënyrë po ndihmojmë edhe fermerët e zonës në këto ditë të vështira,” shtoi ai.
Gati 50% e territorit të bashkisë së Lezhës është zonë bujqësore, çka do thotë se kriza e krijuar nga COVID-19 do të japë ndikim mjaft negativ për qindra familje që kanë si burim të ardhurash punën në këtë sektor
“Fermerëve të shpendëve dhe bagëtive të imëta ju kam vënë në dispozicion makinën frigoriferike dhe ju kam krijuar kontaktet me konsumatorin në zona të ndryshme për t’i ndihmuar sadopak, pasi normalisht ata po përballen me probleme shumë të mëdha për shkak të mungesës së tregut në këto kohë izolimi,” përfundoi Prenga .