Një pacient 60 vjeçar e humbi betejën me sëmundjen në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ndërsa vatra e infeksionit u zgjerua në Krujë, Tiranë dhe Shkodër.
Gjatë 24 orëve të fundit u zbuluan edhe 14 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, nëntë prej të cilave ishin në Krujë, ku virusi vazhdon të ketë përhapje të lartë. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik deklaroi të dielën se ishin kryer 264 testime të reja dhe përveç Krujës, harta e infeksionit u zgjerua edhe në Tiranë me 4 raste dhe Shkodër me 1 rast.
Testimet e reja e çuan numrin total të të prekurve në 726 persona. Numri i fataliteteve u rrit gjithashtu në 28 të dielën, pasi një 60-vjeçar humbi betejën me sëmundjen në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
“Pacienti 60 vjeçar ndodhej i shtruar prej dy javësh në reanimacionin e qendrës univesitare Shefqet Ndroqi dhe vuante nga disa sëmundje shoqëruese,” tha Dervishi për mediat.
Në 24 orët e fundit, shtatë të prekur kanë rezultuar negative duke e çuar numrin total të personave të shëruar në 410. Sipas ISHP, numri i të prekurve aktivë është 288.
Në dy spitalet e vendosura në dispozicion të epidemisë gjendeshin të shtruar 36 pacientë të dielën, tetë prej të cilëve ndodhen në terapi intensive.
Vatrat më të mëdha të infeksionit të koronavirusit të ri vazhdojnë të mbeten Tirana, Shkodra dhe Kruja. Tirana numëron 293 raste, Shkodra 104 dhe Kruja kishte të dielën 92 persona të prekur nga COVID-19.