Gjykata e Kurbinit vendosi masë sigurie arresti me burg për 20 ditë për dy të rinj të arrestuar për plagosjen e dy 21 vjeçarëve në Mamurras, në pritje të përgjigjes të ekspertizës së kërkuar nga prokuroria.
Dy të rinjtë e arrestuar 4 ditë më parë si bashkëpunëtor në plagosjen e dyfishtë në Fushës-Mamurras të Kurbinit do të qëndrojnë në burg me afat 20-ditë. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjykata e Kurbinit pranoi kërkesën e prokurorisë për të lënë në burg shtetasit N. B. (G. L.) dhe Xh. L., banues në Mamurras.
Prokuroria tha se ishte në pritje të akteve të ekspertimit për të vërtetuar nëse dy të ndaluarit kishin qëlluar me armë të dielën (17 maj), pas një sherri, prej të cilit mbetën të plagosur dy 21 vjeçarë. Por dy të arrestuarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje. Avokati i të rinjve nuk qe i arritshëm për koment.
Shtetasit N. B. (G. L.) dhe Xh. L. u arrestuan të martën nga Polcia e Kurbinit për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë “nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, në dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasin E. N. i cili është shpallur në kërkim kanë plagosur me armë zjarri shtetasit K. L. dhe E. Z”.
Plagosja e dyfishtë me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së dielës pranë një lokali në Fushë-Mamurras të Kurbinit. Policia tha se motiv për ngjarjen kishte qenë një sherr i çastit. Fatmirësisht dy të rinjtë morën plagë në pjesën e këmbëve dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.