12 organizata të shoqërisë civile kundërshtuan përmes një deklarate një projekt-rezolutë të Kuvendit për vlerësimin pozitiv të veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke vënë në dukje se nuk ishin dëgjuar dhe se e drejta për informim në vend ishte përkeqësuar.
Nga një numër total prej 786 ankesash, ndaj një morie institucionesh që nuk u ishin përgjigjur kërkesave për informacion në vitin 2019, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, KDI, doli me vendim vetëm për 13 prej tyre.
Shifrat e publikuara në raportin vjetor të monitorimit për të drejtën e informimit të qendrës Res Publica për vitin që shkoi tregojnë sipas monitoruesve pasivitet të Komisionerit, “duke u bërë aktivisht alë me autoritetet publike që refuzojnë dhënien e informacioneve pa shkak ligjor”.
Por përtej këtyre shqetësimeve të enjten që shkoi Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projekt-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, me notë maksimale.
Kjo ka shtyrë 12 organizata të Shoqërisë Civile që veprojnë në fushën e medias, mjedisit dhe të drejtave të njeriut të dalin me një deklaratë në të cilën shprehin shqetësimin se vlerësimi ishte fiktiv ndërsa e drejta për informim dhe transparenca po përkesqësoheshin.
Res Publica, Civil Right Defenders, Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit, Nisma Thurje, Këshilli Shqiptar i Medias, BIRN, Qendra Faktoje, Eco Albania, Citizens Channel, Shoqata e Orintologëve Shqiptarë “AOS”, Eco Partners, Grupi ATA dhe gazetarët Artan Rama, Ola Mitre e Lindita Çela, shprehën shqëtësimin se vlerësimi pozitiv për Komisionerit kishte kaluar pa debat dhe se “media, gazetarë, aktivistë dhe organizatat e shoqërisë civile, aktorët më të interesuar dhe më të prekur nga mungesa e transparencës së institucioneve publike”, nuk ishin ftuar të jepnin mendim.
“Ne, aktorët më aktivë në kërkim të transparencës, shprehim shqetësimin tonë për sjelljen e Kuvendit që e trajton rregullisht këtë cështje si të jetë rutinë dhe e dorës së fundit”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë po ashtu vihet në dukje se Komisioni për Cështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, nuk kishte marrë masa për të siguruar pjesëmarrje të shoqerisë civile dhe gazetarëve, që disponojnë fakte dhe analiza studimore lidhur me zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit.
“Shprehim zemërim, kur shohim se si deputetët e Kuvendit injorojnë debatin si me publikun e interesuar edhe mes tyre, të cilët e kanë kufizuar misionin e deputetit në funksionin e një Noteri Publik, që certifikon çdo akt që i paraqitet mbi tavolinë”, thuhet në reagim.
Ndër të tjera organizatat thonë se përndryshe nga sa pritej Komisioni mori masa për të penalizuar të vetmin deputet që ngriti shqetësimin lidhur me raportet e OJF-ve për “regres të transparencës së organeve publike, duke nxjerrë në pah probleme serioze edhe në punën e Komisionerit, ndryshe nga sa raporton kjo zyrë”.
Në deklaratë vihet në dukje se ndër treguesit që dëshmonin problematikë në rritje të punës së Komisionerit ishin numri i shtuar i çështjeve në gjykatë dhe po ashtu edhe një protestë para zyrës së këtij të fundit për mungesë të përgjigjeve.
“Me këtë Deklaratë i bëjmë thirrje Kuvendit dhe faktorit ndërkombëtar, të kthejnë kokën nga zëri alternativ i shoqërisë civile për të vlerësuar çështje të rëndësishme dhe të mos marrin për bazë vetëm burimet vetëvlerësuese të zyrave të shtetit si Komisioneri për të Drejtën e Informimit apo Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend, që janë potencialisht të kompromentuara dhe rrjedhin nga procese jo transparente dhe në shkelje të procedurave e parimeve të një shteti demokratik”, thuhet në deklaratë.