Një rajon gjithnjë e më i brishtë ka nevojë të madhe për mbështetjen e SHBA-së për çështjet që ka ende të papërfunduara, por shpërqendrimet për shkak të zgjedhjeve, problemet ekonomike të lidhura me COVID dhe çështje të tjera nënkuptojnë se Ballkani nuk do ta marrë këtë vëmendje.
Që nga rënia e Slobodan Millosheviçit në vitin 2000, Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë kaq në nevojë për mbështetje nga Perëndimi si tani – dhe kjo mbështetje nuk ka qenë kurrë më e vështirë për t’u marrë.
Shprehja “punë e papërfunduar në Ballkan” u krijua vetëm disa muaj pas rënies politike të Millosheviçit.
Termi i referohej disa çështjeve, duke përfshirë mosmarrëveshjet e pazgjidhura bilaterale, statusin e Kosovës, institucionet e dobëta shtetërore, një deficit demokratik në të gjithë rajonin dhe cenueshmërinë e shoqërive pas konfliktit.
Megjithatë, ai përmbante gjithashtu një rreze shprese, të mishëruar në angazhimin e vendosur të Perëndimit, mbi të gjitha BE-së, për të mbetur i angazhuar në rajon. Menjëherë pas kësaj, BE-ja filloi një proces për të lehtësuar reformat demokratike dhe për t’i dhënë një perspektivë evropiane të gjithë rajonit.
Njëzet vjet më pas, situata në rajon duket më e zbehtë. Një vështrim mbi situatën në vendet nga Ballkani e konfirmon këtë. Kosova përballet me trazira të mëtejshme politike pasi Gjykata e saj Kushtetuese vendosi që një qeveri e re mund të formohet pa mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Protestat masive në Shqipërinë fqinje dhe përplasjet me policinë për prishjen e teatrit kombëtar, një nga simbolet arkitekturore të qytetit, kanë treguar se sa i brishtë është stabiliteti politik në atë vend.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, pasi pranoi se dëgjoi telefonatat e liderëve të opozitës, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, Milorad Dodik, përballet me akuza penale të ngritura nga dega boshnjake e Transaparency International.
Por fakti që ishte një OJQ-je, jo institucionet përkatëse shtetërore, që i ngriti këto akuza tregon shumë për pavarësinë e agjencive shtetërore në këtë vend.
Mali i Zi dhe Serbia ndërkohë janë zërë të dyja në një mosmarrëveshje fetare mbi të drejtat dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, gjë e cila tregon errësirën e skenës politike në rajon.
Çështja është bërë objekt i shumë manipulimeve nga të dy palët. Në një lloj lufte si ato të teatrit të absurdit, Kisha Ortodokse Serbe po udhëheq “popullin” kundër një regjimi hibrid në Mal të Zi që mbështetet nga dhe mbështet një regjim tjetër hibrid në Serbi – dhe gjetkë, përfshirë Rusinë.
Pothuajse të gjithë liderët e opozitës në Serbi mbështesin opozitën në Mal të Zi, e cila admiron presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe nuk i ka kuptuar pikëpamjet e kolegëve të saj të opozitës në Beograd.
Disa grupe qytetare malazeze dhe media mbështesin protestat e vazhdueshme në vend, duke besuar se ata që duan Vladimir Putinin e Rusisë mund të sjellin demokracinë në Mal të Zi.
Në një vit zgjedhjesh parlamentare, ky është një pretekst pothuajse ideal që qeveria malazeze që të homogjenizojë elektoratin e saj dhe të largojë vëmendjen e njerëzve nga problemet e jetës së përditshme, prapambetja demokratike dhe korrupsioni – çështje që në të kundërt do të dominonin në diskursin publik gjatë zgjedhjeve.
Në këtë sfond, çfarë mund të presim në një të ardhme të parashikueshme nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos SHBA-ja?
Me gjithë ndershmërinë, ne duhet të pranojmë që Ballkani Perëndimor nuk ka qenë madje një përparësi e mesme për Uashingtonin për vite me radhë. Kjo nuk ka gjasa të ndryshojë.
Nëse marrim parasysh analogjinë e teorisë së sistemit botëror të Immanuel Wallerstein, përveç kohës së “Jugosllavisë së Dytë”, nën Josip Broz Titon, rajoni ishte dhe mbetet periferik në sistemin botëror. Periferia tërheq vëmendjen e vendeve të mëdha vetëm nëse bëhet një burim problemesh për ta – Afganistani është një shembull i dukshëm.
Kriza ekonomike e lidhur me COVID dhe sfidat aktuale politike, zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së si dhe përkeqësimi i mosmarrëveshjeve diplomatike dhe lufta tregtare me Kinën, do ta mbajnë rajonin nën radarin e politikës së jashtme të Amerikës.
Fakti që SHBA-ja ka dërguar dy të dërguar në Ballkanin Perëndimor nuk e kundërshton këtë pohim. E konfirmon atë. Përfshirja e papritur e ambasadorit Richard Grenell në një rajon që ai e njihte fare pak, ka kuptim vetëm kur vendoset në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së.
Kur Departamenti i Shtetit emëroi Matthew Palmer, një diplomat me përvojë, si “përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor me mandat për të ndihmuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore”, unë dhe shumë kolegë të mi e konsideruam këtë si një veprim në drejtimin e duhur.
Por vetëm disa muaj më vonë, SHBA-ja emëroi Grenellin në të njëjtën detyrë. Që nga ajo kohë, Palmer ka mbetur nën hijen e stilit të negociatave energjike, por ndonjëherë nervoze të Grenell. Lidhja e tij e drejtpërdrejtë me presidentin e SHBA-së ka sjellë peshën aq të nevojshme politike në këtë proces, por mungesa e një strategjie gjithëpërfshirëse prapa kësaj mbetet sfida më e madhe.
Duke pasur parasysh çështjet e pazgjidhura bilaterale midis Serbisë dhe Kosovës, shumë ekspertë kanë theksuar se sa e rrezikshme është që ky cep i Europës t’i jap besim idesë së një shkëmbimi territoresh. Para se të mendoni për hapjen e kësaj Kutie Pandore, çdo politikë serioze duhet të marrë në konsideratë dëmin e mundshëm në stabilitetin e rajonit.
Grenell dukej se i dha energji një procesi dialogu që kishte ngecur për vite me radhë, duke i detyruar të dy palët të bien dakord për rihapjen e fluturimeve të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës pas një intervali 20-vjeçar, për shembull.
Ai madje e detyroi presidentin serb të mbështesë një iniciativë amerikane, diçka që nuk ka ndodhur shpesh në të kaluarën e afërt.
Por a mund të ndizet një bateri e rënë që supozohet se furnizon energjinë e nevojshme në procesin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë?
Dihet se liderët lokalë e kanë për zakon të nënshkruajnë marrëveshje të mbështetura drejtpërdrejt nga ndërkombëtarët pa pasur qëllim që t’i vënë ato në zbatim me mirëbesim.
Rajoni me të drejtë njihet si një varrezë e planeve dhe iniciativave ndërkombëtare. Pa një mekanizëm gjithëpërfshirës që shpërblen “nxënësit e mirë”, edhe plani më i mirë është i dënuar të dështojë.
Edhe nëse SHBA nuk do të kishte përjetuar pandeminë dhe problemet ekonomike të lidhura me të, ajo do të ishte përqendruar në zgjedhjet e saj të ardhshme dhe jo në problemet në Ballkan.
Në një vit zgjedhjesh presidenciale, problemet ekonomike dhe ato të brendshme kanë më shumë rëndësi sesa politika e jashtme – megjithëse ndonjë sukses i mundshëm i politikës së jashtme mund të përdoret në fushatë. Përpjekjet e Grenell për të përshpejtuar procesin dhe “zgjidhjen e çështjes së Kosovës deri në shtator” duhet të shihen nga perspektiva e zgjedhjeve të nëntorit.
Kjo është bërë sidomos e rëndësishme tani që ai ka vendosur të shkurtojë pozicionin e tij si ambasador në Berlin dhe të bashkohet me presidentin Trump në prag të fushatës.
Por lënia e botës diplomatike për t’u përqendruar në çështjet e brendshme të SHBA-së do ta bëjë edhe më të vështirë që ai të arrijë atë që është planifikuar. Përmirësimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është një çështje e ngutshme. Por një zgjidhje nuk mund të arrihet në një mënyrë ad hoc, ose me presion. Ajo lloj diplomacie nuk funksionoi kurrë mirë në këtë cep të Europës.
Me BE-në që po përpiqet të riaftësojë perspektivën e anëtarësimit të kësaj pjese të kontinentit, nevojitet një strategji afatgjatë e hartuar më me kujdes nga ana e SHBA-së.
Dhe ajo duhet të shkojë përtej narrativave të njohura për nevojën për reforma demokratike dhe duhet të ofrojë një qasje më të qëndrueshme në format e stimujve politikë, ekonomikë dhe të sigurisë për të nxitur proceset e ngecura rajonale.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.