Shqipëria shënoi një rekord të ri negativ të situatës së pandemisë së koronavirusit të enjten, si përsa i përket numrit të rasteve të reja ashtu edhe hartës së shtrirjes gjeografike të tyre. Numri i të shtruarve në spital mbetet i ulët.
Numri i rasteve të reja, numri i personave të shtruar në spital dhe numri i viktimave të koronavirusit të ri u rrit gjatë 24 orëve të fundit, duke shënuar një ditë tjetër të keqe për vendin. Instituti i Shëndetit Publik njoftoi të enjten se 44 raste të reja pozitive u identifikuan nga 291 testime të kryera ndërsa numri i të shtruarve në spital u rrit në 52 nga 46 që ishte të mërkurën.
Mirela Cami nga Instituti i Shëndetit Publik deklaroi në njoftimin e përditshëm të këtij institucioni se rastet e reja i përkasin Tiranës, Krujës, Durrësit, Kamzës, Shkodrës, Lushnjës, Elbasanit dhe Vlorës ku në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë të identifikuarit me COVID-19 nuk janë raste të kontakteve të të sëmurëve të mëparshëm dhe për këto raste po vijon hetimi epidemiologjik.
Të enjten Shqipërisë iu shtua gjithashtu edhe viktima e 35 e njohur zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë, një 59 vjeçar nga Lushnja. Përveç 35 viktimave, në Shqipëri kanë humbur jetën së paku edhe 5 persona të tjerë të infektuar me COVID-19, të cilët autoritetet shqiptare nuk i klasifikojnë si viktima të COVID pasi mendojnë se vdekja e tyre ka ardhur pë shkaqe të tjera.
Aktualisht në Shiqpëri ka 349 persona bartës aktivë të koronavirusit. Shtatëmbëdhjetë qytete kanë vatra të hapura të koronavirusit. Vatrat më të nxehta janë Tirana, Shkodra, Kruja dhe Kamza.