Aktivistë të Lëvizjes për Universitetin dorëzuan mëngjesin e së mërkurës pranë Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë peticionin me 8000 firma, me anë të të cilit kërkojnë anulimin a tarifave universitare për këtë vit akademik për shkak të COVID-19.
Edhe pse policia u mundua t’i pengojë aktivistët e Lëvizjes për Universitetin i dorëzuan të mërkurën ministrisë së Arsimit një peticion për anulimin e tarifave të universitetit për vitin shkollor 2019-2020, si pasojë e mësimit të kufizuar online dhe pasojave ekonomike të COVID-19.
“Aty brenda u dorëzua një peticion i cili mban firmat e më shumë se 8000 studentëve, një shifër e konsiderueshme duke marrë parasysh numrin në total të studentëve që ka Shqipëria, duke ditur gjithashtu që ky peticion u nënshkrua brenda 4-5 ditësh online,” u shpreh aktivisti Frenklin Elini, i cili e dorëzoi i vetëm peticionin brenda Ministrisë së Arsimit.
“Zotëria që doli dhe më mori peticionin nuk u prezantua kush ishte, por tha se ishte thjesht dikush që punon këtu, prandaj i bëra me dije se nëse brenda pak ditësh Ministria nuk jep një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë peticion atëherë ai zotëri duhet të mbajë përgjegjësi “, shtoi Elini.
Nën kushtet e pandemisë Lëvizja për Universitetin ka zhvilluar diskutime të shumta online si edhe pyetësorë dhe sondazhe drejtuar studentëve në lidhje me efikasitetin e mësimit online.
Në javën e parë të qershorit filloi dhe fushata për mbledhjen e firmave për peticionin në lidhje me kërkesat e studentëve për heqjen e tarifave universitare.
“Të zerohen tarifat për vitin akademik 2019-2020,” shprehet Joana Mereja. “Të gjithë studentët që kanë paguar këstin e parë t’u rimbursohen lekët dhe të mos paguhet pjesa e mbetur, sepse është absurde në këtë situatë pandemie që ndodhemi”, shtoi aktivistja e Lëvizjes për Universitetin.
Lëvizja për Universitetin prej 6 vitesh bën thirrje për arsim publik falas dhe tarifat universitare kanë qenë shpesh lajtmotiv i protestave të tyre masive.
“Lëvizja për Universitetin ka 6 vjet që aktivizohet për çështjen e arsimit, dhe ndonëse shpeshherë zëri ynë ka rënë në vesh të shurdhët ne do ua rikujtojmë Ministrisë së Arsimit se kur studentët bëhen bashkë si në dhjetor të 2018 shumë çka mund të arrijmë”, tha Joana Meraja, duke theksuar se lufta për arsim publik falas do të vazhdojë.
Frenklin Elini ra dakord, duke nënvizuar se rezistenca e lëvizjes studentore nuk ishte e lidhur vetëm me situatën e krijuar nga COVID-19.
“Nuk e bëri pandemia arsimin kështu siç është sot, arsimi ka kohë që ka probleme , thjesht tani pandemia theksoi problematikat e sistemit universitar tek ne,” tha ai.
“Diskriminimi i studentëve ka kohë, sepse ka studentë që nuk kanë mundësinë t’i paguajnë këto tarifa, apo studentët e rretheve që nuk kanë mundësi të vijnë pa transport publik,” përfundoi Elini.