Javën e fundit në Shqipëri janë shënuar shifra rekord të numrit të infektuarve me COVID-19, por rritja e kurbës së pandemisë i ka lënë indiferentë qytetarët e Tiranës, pjesa më e madhe e të cilëve shpërfillin maskat mbrojtëse apo distancën fizike në ambiente publike.
Rritja eksponenciale e numrit të personave të prekur nga COVID-19 dhe shtimi i viktimave gjatë muajit ë fundit nuk ka ndikuar në rritjen e vigjilencës së qytetarëve për të zbatuar masat mbrojtëse kundër koronavirusit të ris SARS-CoV-2.
Disa prej tyre shprehen se nuk besojnë në efikasitetin e maskave për të parandaluar infektimin me COVID-19, ndërsa disa të tjerë ankohen se nuk i durojnë dot prej temperaturave të larta pasi i vështirësojnë frymëmarrjen, ndërsa të tjerët thjesht i neglizhojnë masat mbrojtëse apo nuk besojnë fare në ekzistencën e koronavirusit të ri.
“Sa për maskën nuk besoj fare se ajo mund të mbrojë, pasi ajri që ajo lëshon të infekton më keq, nga mikrobet që mblidhen në maskë,” tha e bindur një punonjëse e Postës Shqiptare e cila nuk preferoi të jepte emrin. “Deri më tani falenderoj Zotin por ndihem mirë, nuk kam pasur ndonjë gjë,” shtoi punonjëse e Postës.
Ajo theksoi se nuk beson në ekzistencën e virusit SARS-CoV-2, por mendon së bëhet fjalë për një bakter që shpërndahet në mënyrë sporadike.
“Në lidhje me shifrat që rriten dita ditës ato asnjë nuk po i kontrollon sa të vërteta janë, por gjithsesi jam pro distancimit social në çdo rast, por asnjëherë për mbajtjen e maskave të cilat sipas meje janë shumë të dëmshme”, theksoi punonjësja e Postës Shqiptare.
Gjatë muajit të fundit kurba epidemiologjikë e COVID-19 ka shënuar rritje eksponenciale në Shqipëri, duke tejkaluar pritshmëritë dhe parashikimet negative të specialistëve për përhapjet e infeksioneve pas rifillimit të aktiviteteve publike pas periudhës së vetizolomit të popullatës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 82 raste të reja me COVID-19, ndërsa 3 pacientë kanë humbur jetën, duke e çuar numrin e viktimave në Shqipëri që nga shpërthimi i epidemisë në 69.
Nën kushtet e një rreziku të shtuar, mjekët çdo ditë u bëjnë thirrje qytetarëve për mbajtjen e maskave mbrojtëse dhe ruajtjen e distancimit fizik, dy faktorë të konsideruar kyç në parandalimin e përhapjes së virusit.
Megjithatë, pas një periudhe disa mujore distancimi social dhe kufizimi të aktivitetet publike, qytetarët duken të shkujdesur ndaj epidemisë dhe këshillat e mjekëve po bien shpesh në vesh të shurdhët.
Pranë sheshit qendror Skënderbej në Tiranë, dy studente të vitit të parë në universitet sapo mbaruan të enjten një provim po konsultoheshin me njëra -tjetrën mbi mbarëvajtjen e tij, por gjithmonë të kujdesshme të ruajnë distancën fike, ndërkohë që njëra prej tyre mbante maskë dhe doreza e tjetra jo.
“Jemi siç dolëm nga provimi dhe nuk e patëm fare mendjen për maskat ,” tha Alda, njëra prej studenteve 20 vjeçare.
“Nuk është se e vrasim mendjen shumë, por gjithsesi mundohemi aq sa mundemi të jemi të kujdesshme pasi me këto shifra alarmante që po dalin ditë për ditë nuk mund ta marrim në mënyrë qesharake,” shtoi ajo.
Ndërkohë, në shkallët pranë hyrjes së Spitalin Obsetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” viheshin re grupe njerëzish të afruar me njëri-tjetrin, të cilët dukeshin të pashqetësuar nga risku i infektimit.
“Ne jemi familje të gjithë bashkë, nuk kemi problem dhe po të rrimë afër”, u justifikua një grua në të zeza, pjesë e një grupi prej 10 vetash të grumbulluar në formën e një rrethi pa kurrfarë distance.
Ndërkohe roja i maternitetit i tha BIRN se nga vëzhgimet e tij të përditshme njerëzit duken gjithmonë të papërgjegjshëm dhe të pashqetësuar për ruajtjen e distancës apo mbajtjen e maskës, por gjithsesi ai dhe stafi i recepsionit kujdesen që secili që hyn brenda të jetë i pajisur me maskën dhe dorezat mbrojtëse.
“Na vijnë përditë kontrolle dhe ndonjëherë kemi marrë dhe gjoba për shkak të papërgjeshmërisë së qytetarëve, pavarësisht se i paralajmërojmë gjithmonë për maskat”, tha ai.
Të vetmit të cilët duket se shqetësohen pak më shumë në lidhje me riskun e infektimit nga COVID-19 janë të moshuarit, pasi sipas mjekëve kjo grupmoshë është edhe më e rrezikuara nga pasojat e shëndetësore të virusit, krahasuar me të rinjtë të cilët shpeshherë janë asimptomatikë.
Por ka edhe të rinj të përgjegjshëm që shqetësohen për shëndetin e prindërve të tyre edhe pse mbajta e maskës dhe dorezave ne rritjen e temperaturave nuk është e volitshme.
Lindita Trepça, një vajzë e re e cila priste radhën për t’u futur në degën e një banke pranë bulevardit Zogu I, i tha BIRN se megjithë bezdisjen që i krijonte maska dhe dorezat, kishte zgjedhur t’i përdorte duke pasur në mendje shëndetin e prindërve të saj.
“Tani me këtë vapë nuk e duroj dot fare as maskën, as dorezat,” tha ajo, ndërsa shtoi se “është e pamundur t’i mbash.”
“Gjithsesi unë jetoj me prindërit, kështu që kam përgjegjësi për to, prandaj kur futem në ambiente të mbyllura mundohem t’i mbaj dhe të respektoj distancën,” nënvizoi Trepça, e cila theksoi se është e shqetësuar se nëse preket nga COVID-19 do të infektojë dhe prindërit.