Rusia dhe Kina dukshëm janë duke punuar për të dobësuar demokracitë liberale duke sulmuar vlerat themelore që mbështesin këto demokraci. Shoqëritë e hapura – përfshirë Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e një presidenti që ka besim te aleancat – duhet të bashkohen në mbrojtje të asaj që ata e dinë se është e drejtë.
Ne prej kohësh kemi qenë shumë të ngadaltë për të kuptuar, e aq më shumë për t’i rezistuar, rrezikut të minimit të demokracive liberale nga presidenti i Rusisë Vladimir putin dhe gangsterokracia e tij post-KGB si dhe Kina me versionin e saj të leninizmit më ekonomikisht të suksesshëm.
Mungesa e një përgjigjeje kombëtare të koordinuar ndaj pandemisë së COVID-19 në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të parashikueshme ka sjellë edhe një katastrofë të papenguar në ekonomi dhe në shëndetin publik. Problemi është dhe gjithmonë ka qenë se ata që janë në pozicionin për të bërë diçka mbi kriza të tilla nuk flasin për shumicën e amerikanëve.
Unë pashë anën ruse të këtij problemi nga afër kur isha komisioner i Bashkimit Europian për punë të jashtme nga viti 1999 deri më 2004. Shumë tepër vende Europiane, të drejtuara nga Silvio Berlusconi i Italisë, mendonin se ata mund të bënin biznes me Putinin, dhe ndoshta ta kthenin atë edhe në një aleat të madh gjeostrategjik. Ndërkohë, Putini po drejtonte një regjim që ëndërronte të përmbyste rendin ndërkombëtar të pas-Luftës së Dytë Botërore në mënyrë që të fragmentarizonte si Bashkimin Europian ashtu edhe aleancën transatlantike. Regjimi i Putinit kërcënonte fqinjët e vet, pushtonte vende të tjera dhe vriste kritikët e vet brenda dhe jashtë vendit.
Për më shumë, Putini dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë kuptuar mirë se ku qëndron pika e dobët e kapitalizmit liberal: te babëzia e atyre që zakonisht sakaq janë të pasur. Vetëm kini parasysh se sa shumë nga Londra – prona, biznese dhe anëtarë të elitës politike – u blenë nga paratë Ruse në vitet 1990 dhe në fillim të këtij shekulli. Dhe lufta kibernetike e Rusisë dhe paratë e këtij vendi së fundmi kanë çorientuar si politikën amerikane ashtu edhe atë britanike, në mënyrë veçanërisht skandaloze në fushatën e referendumit Brexit të vitit 2016.
Deri së fundmi, kërcënimi kinez ishte më pak i vënë re. Por që kur koronavirusi i ri filloi tërbimin e vet vrasës në të gjithë botën, presidenti i Kinës Xi Jinping ka nisur një fushatë agresive nëpër Azi dhe botë për të imponuar interesat e regjimit të tij mbi pjesën tjetër tonën. Nëse ne konkludojmë se cila është e vërteta e qartë mbi të, kjo nuk do të thotë se jemi Sinofobë, siç argumentojnë mbrojtësit e Partisë Komuniste të Kinës. Problemi është vetë PKK-ja, e cila aktualisht ka udhëheqësit më agresivë që nga koha e Mao Cedunit.
Xi shprehu armiqësinë e tij ndaj vlerave liberale në instruksionet që ai dha për partinë, qeverinë dhe ushtrinë në vitin 2013. “Komunikata mbi Gjendjen Aktuale në Sferën Ideologjike” argumentoi se çdo gjë, nga liria e shtypit te demokracia parlamentare, përbëjnë kërcënim për sundimin e komunistëve.
Për fatin e keq të Hong Kongut, qyteti mishëron shumicën e vlerave që Xi urren. Pavarësisht premtimit të Kinës për të respektuar këto vlera pasi rimori sovranitetin nga Hong Kongu më 1997, Xi tashmë ka vendosur këtë territor në një kafaz me sunimin e frikës, të mbajtur nga ajo që Uinston Çurçilli e ka quajtur “aparati i neveritshëm” i një shteti policor. Studiuesi i madh i Kinës Perry Link ka krahasuar mekanizmat e kontrollit të PKK-së me “anakondën në llabmbadar”: Në çdo moment ajo mund të bjerë nga llambadari dhe të të mbysë ty, por ti nuk e di dot paraprakisht se kur do të bjerë.
Sulmi kundër autonomisë dhe shtetit të së drejtës në Hong Kong, në formën e një ligji të miratuar me nxitim për sigurinë, të cilin Kina ia ka imponuar këtij territori në fund të qershorit, është vetëm një nga shkeljet e shumta të Xi. Përgjatë muajve të fundit Kina ka vërtitur çomangën e tij nga India në Australi, Kanada dhe në Detin e Kinës së Jugut dhe nga Japonia e Taivani në Europë.
Natyrisht, disa nga ata që jetojnë në shoqëritë e lira të botës – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar – pretendojnë se kjo nuk po ndodh, ose se Kina është tepër e rëndësishme për ne që t’i bëjmë karshillëk. Justifikimet për temena vijnë të shumta dhe të shpejta. Për shkak se ne nuk mund të ndryshojmë Kinën nga jashtë, pse duhet t’i hapim punë vetes duke denoncuar shkeljet e të drejtave të njeriut, të tilla si barbarizmi eugjenik i Kinës ndaj myslimanëve ujgurë në Xinjiang?
Apologjistë të tjerë të PKK-së na paralajmërojnë ne të mos e ngacmojmë dragoin Kinë në një kohë trazirash ekonomike mbarëbotërore për shkak se ne kemi nevojë për tregun e saj. Në fund të fundit, si është historia e sjelljes së Britanisë ndaj Kinës në shekullin e nëntëmbëdhjetë apo fakti që ne vijojmë të bëjmë biznes me regjime të tjera të neveritshme sot? Në fakt, disa nga këto “idiotë të dobishëm” shpesh duket sikur përkufizojnë interesin tonë kombëtar nga ajo se deri në çfarë shkalle ne pranojmë nënshtrim ndaj Kinës.
Por çfarë do të ndodhë me vlerat që përbëjnë thelbin e identitetit tkonë kulturor dhe politik nëse ne nuk i mbrojmë ato? Dhe a është Mbretëria e Bashkuar ende mjaftueshëm e fortë më vete për t’i mbrojtur ata?
Këtu, unë mund të rekomandoj librin e ri të Anne Applebaum Muzgu i demokracisë: Dështimi i Politikës dhe Ndarja e Miqve. Duke prezantuar argumentet e saj me elokuencë dhe dëshmi personale, Applebaum vajton me pasion gërryerjen e vlerave liberale të shoqërisë së hapur përgjatë tre dekadave të fundit. Libri i saj është një rikujtesë praktike e asaj që demokratët duhet të kishin mësuar nga leximi i Shoqëria e Hapur dhe armiqtë e saj nga Karl Popper, i cili është shkruar në orën më të zezë të demokracisë liberale, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Duke lejuar nënshtrimin e identitetit politik ndaj një nostalgjie për një të shkuar që nuk ekziston – një botë që shikon për së brendshmi të ushqyer nga paranojat e sajuara në median sociale – shumë mbështetës të Brexit kanë humbur të kuptuarin mes asaj që është e drejtë dhe asaj që është e gabuar në politikën botërore. Ata kanë hedhur mënjanë të kuptuarit të faktit që ne duhet të punojmë bashkë me demokracitë e tjera liberale për t’u përballur me bullistët e tillë si Kina dhe Rusia.
Ne duhet të bashkohemi për të mbrojtur vlerat që kanë bërë gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë kaq më të mirë se sa gjysma e parë e përgjakur. Shoqëritë liberale – Shtetet e Bashkuara nën një president që beson në aleancat tona, te aleatët e BE-së, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe miqtë tanë në Azi, përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut – duhet të jenë partnerë në mbrojtjen e asaj që ne e dimë se është e drejtë.
Në një ese tjetër të jashtëzakonshme në the Atlantic ku kritikon bashkëpunimin e politikanëve amerikanë të Partisë Republikane me një udhëheqës që ata e dinë se është gabim – Presidentin Donald Trump – Applebaum rikujton polakun e madh Władysław Bartoszewski. I burgosur si nga nazistët ashtu edhe nga komunistët, Bartoszewski më vonë shërbeu si ministër i jashtëm në dy qeveri demokratike polake pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Çfarë e udhëhoqi Bartoszewskin në jetën e tij të guximshme dhe të respektueshme? Nuk ishte, tha ai, ndonjë ide e madhe, abstrakte. Ishte thjeshtë një kredo e mundshme për çdokënd: “përpiqu të jesh njeri i mirë”.
Kjo duket se është një këshillë shumë e mirë për të gjithë demokratët. Dhe kjo mund të jetë veçanërisht e vlefshme për të të udhëhequr në kohët e trazuara që na presin.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Democracy and Decency