Megjithëse se ligji për bashkëjetesën në komunitet ka hyrë në fuqi prej një dekade, shumica e pallateve të Durrësit nuk kanë arritur ta zgjidhin mungesën e punonjësit të shërbimit.
Në një nga pallatet pranë shëtitores bregdetare në Durrës këto ditë u shënua rasti i katërt i një familjeje që preket nga COVID-19, por banorët nuk u alarmuan si para disa muajsh.
“Tani për gjithçka kujdeset administratori i pallatit,” thotë për BIRN, Robert Garo, i cili bën pjesë në kryesinë e hyrjes me 80 familje.
Të gjitha katet janë dezinfektuar më shumë se 15 herë, ndërsa në hyrje-daljet e pallatit dhe përdorimin e ashensorëve është vendosur detyrimi i maskës për të gjithë,” shton Berti.
Kjo konsiderohet një banesë fatlume, ku ndjehet edhe harmonia mes banorëve, të cilëve u mjafton të paguajnë një kuotë mujore për të përballuar bashkë me pagesën e administratorit edhe restaurimet e nevojshme në mjediset e përbashkëta.
Shumica e pallateve të Durrësit nuk kanë arritur ta zgjidhin mungesën e punonjësit të shërbimit.
Madje, në jo pak raste mes banorëve janë krijuar edhe konflikte, kryesisht lidhur me pagesat mujore që shërbejnë për mbarëvajtjen e bashkëjetesës.
Ligji për bashkëjetesën në komunitet i përket vitit 2009, por deri tani ai thuajse nuk i ka shërbyer zgjidhjes së problematikave të shumta në pallatet e banimit.
Në fillim banorët u përpoqën të krijojnë asambletë dhe të regjistrohen në gjykatë, siç e kërkonte ligji, por edhe kur u publikuan aktet nënligjore situate nuk u përmirësua.
Bashkia e Durrësit nuk ka arritur të krijojë qoftë edhe një ekip njerëzish të specializuar, që do të shërbenin për njohjen e situatës në rajonet e qytetit apo si administratorë në pallatet me një numër të madh banorësh.
Në institucionin e pushtetit lokal janë regjistruar vetëm tre firma për mirëmbajtjen e pallateve, dhe së bashku me dy personat fizikë të liçensuar për të njejtin qëllim e çojnë në pesë numrin e firmave dhe personave të liçensuar për një qytet me qindra pallate nga 5 kate deri 25 kate.
Pra, vetëm pesë firma dhe individë të liçensuar në një qytet me 300 mijë banorë.
Nevoja e administratorëve në banesat shumëkatëshe të Durrësit u bë e domosdoshme, kur tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, dëmtoi rëndë mjaft pallate që u braktisën për disa javë radhazi.
Nestor Kërtusha, i cili banon në qendër të qytetit thotë se të gjitha punimet në mjediset e përbashkëta, si dhe në vetë apartamentet e dëmtuara po kryhen nën kujdesin e administratorit.
“Kaq shumë ustallarë nuk kanë hyrë e kanë dalë në pallat, që kur i blemë apartamentet 8-9 vjet më parë,” tregon Nestori, i cili ndjehet i kënaqur me praninë dhe me punën e administratorit.
“Tani që kam 12 vjet si administrator, unë e ndjej veten banor të pallatit ku punoj,” thotë për BIRN Hasani, i cili njeh çdo detaj të banesës ku shërben dhe ku çdo ditë hyjnë e dalin mbi 250 vetë. Ditët e fundit, bashkë me dy specialistë Hasani ka pastruar depozitat e ujit, që janë instaluar si në themele ashtu edhe në tarracën e pallatit.
Janë një sërë problematikash të njerëzve dhe të pajisjeve që një administrator i mirë duhet të njohë dhe të zgjidhë.
Në Qendrën e Formimit Profesional të qytetit po mendojnë seriozisht prej disa muajsh për krijimin e një dege ku përgatiten administratorë. Ali Shapalaku, instruktor në këtë Qendër thotë se kanë paraqitur një program, me elementet e kurrikulës përkatëse.
“Ne synojmë krijimin e një figure profesionale, e cila të shërbejë në pallatet e shumtë të Durrësit-thotë Shapalaku. Por instruktori I Qendrës shprehet se deri tani nuk kanë patur një përgjigje positive nga dikasteri dhe bashkia, lidhur me njohjen zyrtare të programit që do ti hapte rrugë krijimit të specialistëve që do të zgjidhnin shqetësimet e banorëve në pallatet e qytetit bregdetar.
Sipas Shapalakut, tërmeti dhe pandemia e bëjnë tepër të nevojshëm vendosjen e standarteve profesionale për njerëzit që marrin përsipër mirëmbajtjen e mjediseve dhe marrëdhënien mes banorëve. Pa harruar se mjaft pallate në Durrës janë ende të pahipotekuar.
Zgjidhja e bashkëjetesës së banorëve në komunitet bëhet më e vështirë sa më shumë i drejtohesh perferisë së qytetit bregdetar.
Sofron Osmanllari jeton në një pallatet që janë ndërtuar në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe që banohen kryesisht në stinën e verës.
“Vitin e kaluar rrëshqitjet e kodrës dëmtuan katet e para dhe tashmë rreziku ndjehet për 4-5 pallate,” thotë Sofroni, i cili është ankuar edhe në bashki.
“Askush nuk është përgjigjur deri tani dhe unë nuk e di se si do të dalim nga dimri që sapo ka filluar ,” shprehet Sofroni, që duhet të jetë njëkohësisht banor i pallatit dhe administrator i tij.