Një instalacion i vendosur në sheshin “Skënderbej” synon të nxisë pyetje dhe reflektim mbi mënyrën e trajtimit të fëmijëve në Shqipëri –si një mënyrë ndërgjegjësimi kundër dhunës.
Pasditen e së enjtes, World Vision Albania së bashku me partnerët e saj strategjikë, ndër të cilët Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, prezantoi në sheshin “Skënderbej” instalacionin e projektit të quajtur “Në Labirint” , i cili do të qëndrojë i hapur për 8 ditë rradhazi për publikun.
Labirinti është një simbol i luftës kundër dhunës ndaj fëmijëve, me korridore të ndarë sipas dilemave të ndryshme të prindërve dhe ku secili vizitor do të ketë mundësinë të reflektojë për rolin që ka si prind, familjar apo si qytetar në procesin e rritjes së fëmijëve të tyre.
Drejtoresha e World Vision për Shqipërinë, Eljona Boçe Elmazi tha se pyetja kryesore që ngrihet përmes instalacionit është se si ‘po ndikojmë ne vetë në rritjen e fëmijëve”.
“Çdo fëmijë duhet ta jetojë jetën në plotësinë e vet, i mbrojtur nga çdo lloj forme dhune dhe abuzimi. Shifrat janë alarmante; 66% e prindërve apo kujdestarëve ligjorë e konsiderojnë dhunën si mjet disiplinimi,” tha Elmazi, duke apeluar për zbatimin e plotë të konventave për mbrojtjen e fëmijëve.
Prej vitit 2010, Shqipëria ka një ligj që i përcakton të drejtat dhe mbrojtjen që gëzon çdo fëmijë, si edhe mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse që garantojnë mbrojtjen e veçantë të tyre.
E pranishme në inagurimin e instalacionit, ministrja e Arsimit, Sportit, dhe Rinisë, Evis Kushi tha se është i rëndësishëm ndërgjegjësimi dhe parandalimi mbi aktet e dhunës, sesa luftimi i tyre kur është tepër vonë.
“Për shkak të neglizhencës së drejtuesve apo mësuesve kanë ndodhur veprime shumë të rënda që për fat të keq kanë qenë prezente në disa prej institucioneve tona. Ne si institucione dhe shoqëri mund të bëhemi bashkë për të luftuar këtë fenomen dhe të gjitha llojet e dhunës ndaj fëmijëve,” tha Kushi, duke shtuar se është planifikuar të ketë rreth 700 punonjës psiko-socialë nëpër shkolla.