Menjëherë pasi qeveria konservatore e Demokracisë së Re mori detyrën në Greqi në vitin 2019, nisi të bëhej e qartë se demokracia nuk ishte ajo që kjo qeveri kishte në mendje. Pak më shumë se një vit më vonë, kalimi në diktaturën postmoderne parlamentare ka avancuar mirë.
“Ky nuk është moment për t'u trishtuar, jemi shumë të zemëruar”, më tha së fundmi kreu i një njësi të kujdesit intensiv në një spital në zonën time elektorale, Selanik. Së bashku me stafin e tij të mjekëve dhe infermierëve të përkushtuar, ai nuk kishte fjetur një natë më parë, të cilën ai e përshkroi me evokim si “Nata jonë e Shën Bartolomeut”. E pyeta pse po shfrynte. “Humba një 43-vjeçar që mund të ishte shpëtuar”, u përgjigj ai me zemërim, duke shtuar: “Por janë gënjeshtrat! Gënjeshtrat e ndyra dhe propaganda që më zemërojnë.”
Greqia pati një valë të parë të mirë të COVID-19, por vala e dytë e gjeti qeverinë krejt të papërgatitur. Njerëz të brendshëm në spitalet në Greqinë veriore, si shefi i njësisë së kujdesit intensive me të cilin fola, tani e krahasojnë situatën e tyre me Italinë e veriut në fillim të pranverës.
Por pak informacione në lidhje me tmerret aktuale mbërrijnë deri te publiku. Një arsye është se menaxherët e spitaleve, të emëruar nga qeveria, e kërcënojnë stafin me pasoja të këqija, nëse flasin me mediat. Një tjetër është se gjatë pandemisë, mediat janë bërë plotësisht të varura nga grantet e mëdha që Ministria e Informacionit shpërndan sipas dëshirës së ministrit.
Gjatë javëve të fundit, policia ka filluar hetimin e personelit mjekësor i cili kishte njoftuar greva të vogla simbolike në shenjë proteste për mungesën e stafit. Ndërsa 17 nëntori, 47-vjetori i një kryengritje studentore antifashiste – dhe një pikë qendrore për protestuesit në Greqi çdo vit – po afronte, policia urdhëroi një ndalim katër-ditor në mbarë vendin për tubimet në ambiente të hapura të më shumë se katër personave. Pandemia ishte justifikimi; vulosja e mospajtimit ishte arsyeja.
MeRA25, partia që unë drejtoj, pati një debat të brendshëm të gjatë mbi mënyrën se si duhej t'i përgjigjej dekretit drakonian. Ne vendosëm për një përgjigje të moderuar. Do t'u bënim thirrje anëtarëve të publikut, partisë sonë dhe të krahut tonë rinor që të qëndronin larg, duke respektuar kufizimet kundër transmetimit të virusit.
Por për të sfiduar justifikimin e pandemisë për të ndaluar të gjitha protestat, veçanërisht nga personeli mjekësor, shtatë nga anëtarët tanë të parlamentit do të ecnin përgjatë rrugës tradicionale të marshimit, të pajisur me maska dhe duke respektuar një distancë të madhe sociale. Meqenëse Kushtetuta u garanton parlamentarëve lirinë e lëvizjes, vendimi ynë ishte sa i përgjegjshëm, ashtu edhe i ligjshëm.
Gjatë marshimit tonë simbolik, qindra policë dhe police të reja, duke sfiduar të gjitha rregullat e distancimit social, u përpoqën të pengonin shtatë deputetët tanë. Ndërsa po i afroheshim fundit të rrugës sonë, u rrethuam nga më shumë se një mijë policë. Ndërkohë, kryeministri, presidenti dhe nja 20 persona të tjerë ecën përgjatë rrugës drejt Politeknikut të Athinës për të vendosur një kurorë.
Shtatë orë më vonë, deputetët tanë ishin ende të bllokuar nga një forcë e madhe policie, edhe pasi rruga u hap normalisht për trafikun dhe njerëzit që shkonin në punët e tyre. Mesazhi ishte i qartë: Të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës janë anuluar de facto.
Prova se kjo nuk ishte aspak një rastësi erdhi në ditët në vijim. Më 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ndërsa deputetët e mbështesnin këtë kauzë, policia jashtë arrestoi nëntë feministe të njohura, të cilat po respektonin distancimin social, se guxuan të demonstronin në mbështetje të së njëjtës kauzë. Ndërkohë, zyra e prokurorit të qarkut njoftoi se deputetët e opozitës, përfshirë edhe mua, po hetoheshin për shkelje të kufizimeve të lëvizjes, gjë e cila, sipas Kushtetutës, nuk vlen për ne.
Tani qeveria ka përdorur shumicën e saj parlamentare për të larguar të gjitha dyshimet e mbetura në lidhje me qëllimet e saj anti-demokratike, duke votuar për heqjen e imunitetit parlamentar të një deputetes tonë dhe për çuarjen e saj në gjykatë për diçka që ajo tha në sallë. Dhe fjalët e saj ndodhën të ishin të vërteta: policë provokatorë, me kapuça dhe të veshur si anarkistë, janë regjistruar duke u përzier me demonstruesit dhe herë pas here kanë nxitur dhunë. As në vitet e trazuara 1960 një deputeti nuk iu hoq imuniteti ligjor për fjalët e thëna në sallën e parlamentit tonë.
Vetëm një vit më parë po lexoja librin e Ece Temelkuran “Si të humbësh një vend: Shtatë hapat nga demokracia në diktaturë”, i cili tregon historinë tronditëse të kalimit të Turqisë në një diktaturë parlamentare. Pak e dija atëherë se, një vit më vonë, libri i saj do të bënte jehonë si një dokumentar zhvillimesh këtu në Greqi. Shenjat filluan menjëherë pasi qeveria konservatore e Demokracisë së Re mori detyrën, shumë përpara pandemisë.
Policia e trazirave pushtoi kampuset universitare për të kënaqur krahun e djathtë të partisë qeverisëse. Pothuajse çdo stacion televiziv dhe radiofonik përsëritën njëzëri fjalinë se qeveria e re “do ta bënte Greqinë përsëri të madhe”. Refugjatët u cilësuan nga ministrat e qeverisë si “pushtues të paligjshëm”, dhe Rojat Bregdetare të Greqisë u urdhëruan të zmbrapsnin në detet e stuhishme çdo anije të mbushur me burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar.
Ndërkohë, erërat e këqija po fryjnë edhe në sistemin e drejtësisë. Në fillim të vitit 2020, mandati i presidentit mbaroi. Qeveria, pasi e ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të tillë që të mund ta zgjedhë presidentin e ri me një shumicë të thjeshtë parlamentare, zgjodhi si kandidatin e saj presidentin e përkohshëm të Këshillit të Shtetit. Në fakt, mesazhi për gjyqtarët e lartë, të cilët përballen me pension të detyrueshëm në moshën 67 vjeçare, ishte: Mos merrni vendime kundër qeverisë dhe ju pret një punë e rehatshme.
Në një kohë kur Europa liberale po shqetësohet për Hungarinë dhe Poloninë, të cilat po i vënë veton buxhetit të BE-së në mbrojtje të regjimeve të tyre joliberale, askush nuk duket se po vëren se vendet e tjera anëtare të BE-së, si Greqia, po ndjekin shembullin e këtyre dy vendeve. Në vitin 2015, unë komentova se nuk nevojiteshin me tanke për të rrëzuar demokracinë greke. Mjaftonte mbyllja e bankave.
Pesë vjet më vonë, kalimi në diktaturën postmoderne parlamentare ka avancuar mirë. Disa ditë më parë, në Ditën e Forcave të Armatosura, imazhi i një tanku, së bashku me avionë luftarakë dhe raketa, u projektua në fasadën e Parlamentit të Greqisë. Atje, përpara Sheshit Syntagma, tradicionalisht vendi i demonstratave pro demokracisë dhe paradave me tanke që kanë shënuar vazhdimisht pezullimin e demokracisë, paralajmërimi ishte i qartë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. How to Lose a Europea Country