Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, nënkryetari i kësaj bashkie, kreu i FRPD-së dhe 40 persona të tjerë përfshi 17 të mitur, janë proceduar penalisht për protestën dhe dhunimin e selisë së Partisë Scialiste. Ademi kundërshtoi akuzat dhe kërkoi hetim të pavarur.
Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi dhe nënkryetari i kësaj bashkie Ardit Qylybyli, u proceduan penalisht nga policia pas protestës në qytet ku u thye nga një grup adoleshentësh selia e Partisë Socialiste dhe u dogjën disa materiale që ndodheshin brenda saj.
Veç tyre policia njoftoi ndjekje penale për kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike Arvid Bushati dhe ish-trajnerit të kombëtares së boksit Zef Gjoni, bashkë me katër persona të tjerë ata akuzohen për organizim të tubimit të paligjshëm.
Ndërkohë si pjesëmarrës në tubim është njoftuar procedimi për 18 persona të tjerë përfshi bashkëshortin e Ademit, ndërsa për dhunimin e selisë së PS në procedim janë 17 të mitur që policia thotë se i ka identifikuar nga kamerat dhe filmimet.
Në një reagim të sajin për mediat Ademi tha se nuk ishte njoftuar për procedimin, ndërsa pretendoi se ajo dhe as PD e Shkodrës nuk kishin organizuar protestë. Ajo tha se e kishte dënuar sulmin në selinë e Partisë Socialiste dhe kërkoi hetim të pavarur të ngjarjes. Ademi një ditë më parë kallëzoi policinë se nuk kishte ndërhyrë për të ndaluar dhunën edhe pse ishte njoftuar prej saj.
Policia ndërkohë njoftoi edhe procedimin penal për dy punonjës të zjarrfikëses, që akuzohen se kishin shpërdoruar detyrën dhe nuk kishin shkuar në kohë për të shuar zjarrin. “Ata ishin në shërbim dhe kanë reaguar me vonesë pas njoftimit të bërë nga Salla Operative për të ndërhyrë në shuarjen e zjarrit para godinës së një subkjeti poltik”, njoftoi policia.
Njoftimi u shoqërua me një apel për prindërit për të mos lejuar fëmijët të marrin pjesë në protestë.