Qindra këpucë të kuqe, të dhuruara nga gra dhe vajza, u rreshtuan në qendër të Durrësit si protestë dhe kujtim i të gjitha grave që kanë humbur jetën prej dhunës.
Qindra këpucë të kuqe u rreshtuan paraditen e së hënës në shkallaren pranë qendrës së qytetit të Durrësit. Gra dhe vajza zgjodhën t’i dhuronin ato në përkujtim të gjitha grave që kanë humbur jetën si pasojë e ushtrimit të dhunës, duke ju bashkuar thirrjes së artistëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe aktivisteve.
Nisma ndërmerret në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, që kur artistja meksikane Elina Chauvet e nisi pasi e motra u vra në moshën 32 vjeçare nga bashkëshorti. Posterat me mesazhe nga aktoret dhe aktivistët u ndoqën nga sytë kureshtarë të kalimtarëve në fasadën e galerisë së arteve “Nikolet Vasia”.
“Nisma vjen pasi në qarkun Durrës vitin e kaluar u shënua rritje e ndjeshme e dhunës ndaj grave”, komentoi për BIRN regjisorja e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Driada Dervishi. Ajo shtoi se këpucët e kuqe do të transferohen nga sheshi i qytetit në një shfaqe në “Facebook”, ku 8 aktore rrëfejnë 8 histori të grave të dhunuara.
Qarku i Durrësit ka një prej niveleve më të larta të raportimit të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Kjo edhe sipas statistikave të INSTAT-it, ku norma e grave që kanë raportuar dhunën ka qenë 30 gra, shprehur për 10 mijë banore gra.
Organizatat për të drejtat e grave dhe aktivistet theksuan se pandemia e COVID-19 shtoi numrin e rasteve të raportuara të dhunës ndaj grave dhe rriti pabarazinë.
“Shoqëria jonë mbetet ende shumë larg respektimit të drejtave sociale të grave dhe vajzave dhe ky fakt u provua për fat të keq përgjatë periudhës së mbylljes prej pandemisë COVID-19”, shpjegoi Erisilda Shpata, juriste pranë Shoqatës “Gender, Paqe e Siguri”.
Juristja Shpata tha se përgjatë vitit 2020 Policia e Durrësit vetëm për Bashkinë Durrës ka plotësuar 472 kërkesë padi për urdhra mbrojtje gjykatës dhe ka referuar në prokurori 155 kallëzime penale për ‘Dhunë në familje’.
“Në Shqipëri kemi shtet policor, ligjor dhe jo shtet të së drejtës. Korrupsioni në vendin tonë ndodh në komisariat dhe sapo kalon prokurorinë, por jo drejtpërsëdrejti në gjykatë sepse ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale ngarkojnë policinë të veprojë”, analizoi avokati Gylsen Gzhllima.