Dy persona u arrestuan nga policia në Portin e Durrësit pasi në kontenierin e kompanisë që importonte banane ugjet kokainë që vinte nga Ekuadori. Kjo është sasia e dytë e drogës që kapet brenda pak ditësh.
Policia e Shtetit sekuestroi për herë të dytë brenda pak ditësh qindra kilogramë lënë narkotike të dyshuar si kokainë dhe arrestoi dy persona të dyshuar. Në kuadër të operacionit të pagëzuar “El mejor” (“Më e mira”) policia zbuloi të fshehur në tavanin e një kontejneri të ngarkuar me banane rreth 143 kilogramë që dyshohet të jetë lëndë narkotike e llojit kokainë dhe ishte nisur nga shteti i Ekuadorit.
Pas gjetjes së lëndës narkotike policia arrestoi në flagrancë 2 administratorët e kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. “…u arrestuan në flagrancë shtetasit K. X., 30 vjeç dhe E. P., 42 vjeç, të dy banues në Tiranë”, njoftoi policia për mediat.
Kontejneri i ngarkuar me banane ishte nisur nga porti i Guayaquil, në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “Gioia Tauro” në Itali, për të mbërritur përmes Portit të Durrësit me destinacion magazinat e kompanisë në kryeqytet.
Pakot me lëndë narkotike duket se kishin më shumë se 1 porositës, duke mbajtur mbishkrime si, “El Mejor” (“Më e mira”), shoqëruar nga fotoja e trafikantit të famshëm Pablo Escobar, pako të tjera me mbishkrimin “Viejon”, që në shqip do të thotë i moshuari dhe “Brater” (“Vëlla”).
Në fillim të muajit Policia e Shtetit arrestoi një të dyshuar dhe sekuestroi 49 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, të zbuluar gjithashtu brenda një kontejneri me banane që vinte nga Ekuadori. Në hetimet për rastin e sotëm në Portin e Durrësit përveç prokurorisë së qytetit janë angazhuar edhe prokurorë të SPAK-ut.