Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrtoi ne seancë plenare kërkesën e drejtueses së Prokuorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj për mbajtjen e një qëndrimi publik në lidhje me akuzat ndaj saj nga kreu i opozitës. Vendimarrja u shty me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit që kërkuan më shumë kohë të njihen me një peticion në mbështetje të Imerajt të firmosur nga 50 prokurorë, vartës të saj.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP shqyrtoi të mërkurën kërkesën e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj për mbajtjen e një qëndrimi publik nga Këshilli në lidhje me akuzat publike ndaj figurës së saj.
KLP njoftoi se me shtatë vota pro dhe katër kundër, u vendos shtyrja e vendimmarrjes për mbajtjen e një qëndrimi publik, për në mbledhjen plenare të radhës. Sipas KLP, shtyrja ka ardhur për arsye proceduriale që lidhen me administrimin nga ana e anëtareve, të një peticioni të nënshkruar nga 50 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, në mbështetje të kërkesës së drejtueses së tyre, prokurores Elisabeta Imeraj.
E pyetur nga BIRN, zëdhënësja e KLP, Carmen Gjani shpjegoi se anëtarët e Këshillit kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me peticionin e dorëzuar nga 50 prokurorët që shërbejnë në Prokurorinë e Tiranës.
Kërkesa e Imerajt vjen pas deklaratave të kryera nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndërkohë që po diskutonte për ecurinë e reformës në drejtësi në emisionin “Real Story”, solli në vëmendje procesin e rivlerësimit të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe e quajti atë një ikonë të korrupsionit dhe krimit.
“Ke një shembull të javës së kaluar, më flagrantin, ku përfaqësuesi ndërkombëtar për tetë orë me radhë i kërkoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit skualifikimin e kyeprokurores së Tiranës, një ikone të korrupsionit dhe të krimit dhe Komisioni nuk pati guximin dhe asnjë media nuk pati guximin ta mbulonte. Dhe kur unë e denoncova këtë fakt tek një studio e kolegut tuaj, kërcitën telefonatat dhe prapë asnjë media nuk e mbulonte”, deklaroi Basha në emionin “Real Story” në televizionin News 24 dhe shtoi se ky ishte një shqetësim edhe i partnerëve ndërkombëtarë.
Prokurorja Imeraj reagoi ndaj deklaratës së Bashës duke e konsideruar si një shantash për shkak të dosjeve që ai ka në prokurori.
“Deklarata e z.Basha është një sulm personal për shkak të dosjeve që ai ka patur në Prokurorinë e Tiranës dhe për këto akuza ai do të përballet në gjykatë”, u shpreh Imeraj nëpërmjet një mesazhi telefonik të lexuar nga drejtuesi i emisionit “Real Story”, Sokol Balla.
Partia Demokratike nuk pati qëndrim deri në publikimin e këtij artikulli, lidhur me trajtimin e kërkesës së Imerajt nga KLP dhe për peticionin e nënshkruar nga 50 prokurorë të Tiranës në mbrojtje të eprores së tyre.
Edhe prokurorja Elisabeta Imeraj nuk iu përgjigj pyetjeve që BIRN i drejtoi lidhur me arsyen e kërkesës të depozituar në KLP dhe nëse do t’i drejtohej gjykatës.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në KPK më 24 mars për rivlerësimin e prokurores Elisabeta Imeraj, vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs e akuzoi subjektin e rivlerësimit për një seri të gjatë veprash penale, përfshirë përgjime të paligjshme dhe shantazhim të anëtarëve të KPK-së, akuza të cilat Imeraj i kundërshtoi ashpër.
Gjatë një përplase që zgjati prej më shumë se 5 orë, Jacobs deklaroi se kryprokurorja e Tiranës kishte ushtruar nëpërmjet një ‘përpjekje të organizuar’ ndikimin të paligjshëm në proces.
Jacobs e akuzoi subjektin e rivlerësimit se kishte vënë njerëz që të ndiqnin dhe të fotografonin kolegun e tij Hans Kijlstra – tashmë i larguar nga ONM, duke synuar të siguronte fakte kompromentuese ndaj tij.
Ai po ashtu veçoi dorëheqjen e ish-relatores Etleda Çiftja, e cila shprehej se kërkonte të tërhiqej pasi 7-8 persona i ishin afruar për t’i kërkuar “qëndrim më fleksibël” në çështjen ndaj Imerajt.
Jacobs aludoi se anëtarët e trupës gjykuese të KPK-së po i fshihnin faktet e rënda nga seanca dëgjimore.
Prokurorja Imeraj i mohoi me forcë akuzat e Jacobs si trillime të pavërteta.
Jacobs nuk ishte prezent në seancën e shpalljes së vendimit më 1 Prill kur KPK konfirmoi në detyrë prokuroren Elisabeta Imeraj. Ai ishte zëvendësuar nga vëzhguesi tjetër i ONM-së Ferdinando Buatier.
Para se Komisioni të jepte vendimin, Imeraj kaloi me sukses procesin e verifikimit për pasurinë dhe pastërtinë e figurës në KLP, që i hapi rrugën për t’u caktuar më 26 mars si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës për 3 vitet e ardhshme.