Duke vënë një ultimatum para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti palestinez Mahmoud Abbas shpresoi të shkundte SHBA-në nga vetëkënaqësia e saj dhe ta detyronte Izraelin të angazhohet në negociata reale për t'i dhënë fund pushtimit të tokave palestineze. Me palestinezët që po fillojnë të humbasin durimin, dhuna mbetet një alternativë e mundshme.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ishte vetëm dhjetë vjeç kur u krijuan Kombet e Bashkuara. Muajin e kaluar, ai iu drejtua Asamblesë së 76-të të Përgjithshme dhe vuri një ultimatum të guximshëm: Izraeli ka një vit kohë që të tërhiqet nga territori palestinez që pushtoi në vitin 1967, përfshirë Jerusalemin Lindor, ose palestinezët nuk do ta njohin më Izraelin bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe ata do ta çojnë çështjen e pushtimit para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Abbas, ashtu si më shumë se gjysma e palestinezëve, është refugjat. Ai ka ende aktin e tokës të familjes së tij nga ai që tani është qyteti izraelit i Safedit – një akt që ai theksoi se është e regjistruar si pjesë e regjistrave të OKB-së. Kjo situatë nuk është për fajin e palestinezëve, tha ai. “Për ata që pretendojnë se nuk ka partner palestinez për paqen dhe se nuk ‘humbasim mundësinë që të çojmë dëm asnjë mundësi', i sfidoj të demonstrojnë se kemi refuzuar qoftë edhe një herë një nismë të vërtetë dhe serioze për të arritur paqen.”
Në shtator 1967, në prag të luftës së qershorit, liderët arabë u angazhuan për të ashtuquajturën “Tre Jo-të”; “jo paqe me Izraelin, jo njohje të Izraelit, jo negociata me të.” Por e kundërta është e vërtetë sot. Siç vuri në dukje kohët e fundit kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh, tani është Izraeli ai që refuzon të flasë me Abbasin, të angazhohet në ndonjë negociatë mirëbesimi ose të njohë shtetin e Palestinës.
Ndryshe nga kjo, Abbas pohon se palestinezët janë “gati të punojnë gjatë gjithë këtij viti në përcaktimin e kufijve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të statusit përfundimtar nën kujdesin e OKB-së, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë dhe në përputhje me rezolutat e OKB-së. Por, kur të ketë kaluar një vit, Izraeli duhet t'i japë fund pushtimit të tij.
Sigurisht që liderët e Izraelit nuk kanë ndërmend ta bëjnë ndonjë gjë të tillë, dhe duket se nuk ka gjasa që partnerët e tyre amerikanë të bëjnë presion mbi ta. Po, kur kryeministri izraelit Naftali Bennett vizitoi Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden afirmoi, siç pritej, kundërshtimin e administratës së tij ndaj ndërtimit të vendbanimeve izraelite dhe i kushtoi vëmendje zgjidhjes së dy shteteve.
Por nuk ka asnjë arsye për të besuar se Biden planifikon ta nxisë Izraelin në ndonjë nga këto çështje, aq më pak të shmangë prishjen e koalicionit të brishtë qeverisës të vendit. Në fakt, Bennett dhe Biden thuhet se ranë dakord se nuk ka ardhur ende koha për negociata direkte palestineze-izraelite. Me sa duket, ata duan të adresojnë çështjet e “cilësisë së jetës” me të cilat përballen pesë milionë palestinezët nën okupimin ushtarak, pa punuar për të hequr shkakun e këtyre problemeve.
Palestinezët kanë arritur në një pikë kritike dhe kjo është pjesërisht për faj të Abbas-it. Prillin e kaluar, ai i shtyu përsëri zgjedhjet legjislative – gjoja për një mosmarrëveshje rreth votimit në Jerusalemin Lindor, por, në fakt, e bëri për të shmangur humbjen e partisë së tij Fatah – dhe përdori forcë kundër protestuesve. Kur njerëzit kanë jetuar nën okupim për një kohë të gjatë dhe mbeten pa një proces politik, është e pashmangshme që të bëhen me humor të keq.
Tashmë, dhuna ka zëvendësuar diplomacinë si mjeti kryesor i angazhimit midis izraelitëve dhe palestinezëve. Majin e kaluar, Hamasi gjuajti raketa nga Gaza drejt qendrave të popullsisë izraelite. Vera u shoqërua me sulme të përditshme me Molotov dhe rezistencë të armatosur ndaj forcave izraelite. Ndërsa Izraeli u përgjigj me efikasitet brutal, Hamasi tregoi se ishte i përgatitur për të luftuar.
Në përgjigje të dhunës, Izraeli vendosi kufizime të reja ekonomike në Rripin e Gazës. Më pas deklaroi se procesi i rindërtimit në Gaza, duke filluar me heqjen e bllokadës ilegale, do të kushtëzohej me shkëmbimin e të burgosurve. E megjithatë, refuzimi i Izraelit për të ofruar lëshime e bëri të pamundur marrëveshjen për një shkëmbim të burgosurish. Tensionet vazhduan të shtoheshin.
Në këtë sfond, gjashtë të burgosur palestinezë u arratisën në fillim të shtatorit nga burgu Gilboa, një nga objektet më të sigurta të Izraelit. Ndërsa burrat u ndoqën nga pas dhe u kapën, midis Izraelit dhe Gazës pati shkëmbim sulmesh me raketa. Hamasi – i cili mban dy ushtarë izraelitë në paraburgim dhe trupat e dy ish-ushtarakëve izraelitë që u përfshinë në sulmin e vitit 2014 në Gaza – tani është zotuar të kërkojë lirimin e atyre që tentuan të arratiseshin.
Ndërsa ka ndodhur e gjithë kjo, SHBA-ja ka ndërmarrë pak veprime. Administrata Biden nuk ka arritur të prodhojë asnjë kuadër politik për t'i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez; as nuk ka miratuar një “udhërrëfyes” për një zgjidhje. Ndërsa presidentët e mëparshëm amerikanë caktuan një të dërguar paqeje për konfliktin izraelito-palestinez, i vetmi zyrtar amerikan i ngarkuar me ndjekjen e konfliktit sot është një zëvendës ndihmës sekretar shteti.
Ashtu si administratat e mëparshme amerikane, administrata Biden ka vazhduar t'i japë para izraelitëve. Tani ajo është një bashkëpunëtor në mohimin e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje. Dhe të paktën pjesërisht duhet fajësuar për çfarëdo që do të sjellë dhuna. Siç tha Abbas në fjalimin e tij në OKB, “Durimi ynë dhe durimi i popullit tonë e ka një kufi.”
Për dekada me radhë, izraelitët në thelb kanë marrë një leje nga bota për të pushtuar tokat palestineze, për shkak të krimeve të tmerrshme kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por ky nuk mund të jetë më një justifikim për të nënshtruar palestinezët. Ka ardhur koha për t'i dhënë fund bllokadës izraelite të Gazës, të miratohet një ngrirje e mirëfilltë e ndërtimeve siç kërkohet nga Rezoluta 2334 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërkohet një angazhim në negociata të vërteta që synojnë përfundimin e pushtimit.
Abbas dëshiron të shohë progres drejt paqes para se të largohet nga skena politike. Me ultimatumin e tij në OKB, ai shpresonte të shkundte SHBA-në nga vetëkënaqësia e saj dhe ta detyronte Izraelin të angazhohej në negociata reale për t'i dhënë fund pushtimit. Palestinezët nuk do të pranojnë asgjë më pak.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Palestinian Ultimatum