Dy artistë durrsakë, që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Itali janë rikthyer të shtunën në vendlindje përmes dy ekspozitave.
Në të njejtën ditë dhe në të njejtën orë, Liliana Çika dhe Ilir Xhixha kanë përuruar ekspozitat e tyre në mjediset e dy institucioneve mjaft të shquara në Tiranë dhe Durrës, në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Muzeun Arkeologjik Kombëtar.
Liliana Çika solli në ekspozitën e saj të Tiranës produktin artistik të viteve të fundit, pasojë e një sfide të pareshtuar të artistes përballë sëmundjes së rëndë të parkinsonit.
Ndërkaq, në mjediset e Muzeut Arkeologjik në Durrës, Ilir Xhixha vjen si pjesë e një projekti të përbashkët me kolegët italianë Davide Ferro dhe Massimo Romani.
Skulptori Qazim Kërtusha, i cili e njeh nga afër veprimtarinë krijuese të dy artistëve durrsakë, tha për BIRN se punimet e Liliana Çikës i kanë tejkaluar veshtirësitë e mëdha të proçesit krijues të piktores.
Që prej 23 vitesh e vendosur familjarisht në një nga qytetet e Toskanës, Liliana Çika nuk ka hequr dorë për asnjë çast nga krijimtaria.
Qazim Kërtusha, bashkëautor në një nga skulpturat e parkut të vendosura 35 vjet më parë në Durrës, vlerëson se me të njejtën përgjegjësi artistike Çika ka punuar në Itali, kur hapte ekspozitat me kostumet popullore shqiptare, apo kur vlerësohej me çmime në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare të vendit fqinj.
Shembull tipik i forcës shpirtërore që e ka burimin te arti, Liliana Çika ka mbledhur në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar artdashës dhe kolegë, që i janë gëzuar punimeve të fundit të artistes durrsake.
Ilir Xhixha, “bir arti” në një familje artistësh tashmë të njohur ndërkombëtarisht, është rikthyer mbrëmjen e kaluar në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Durrësit, afro 40 vjet pasi filloi të punojë mes arkeologëve të njohur dhe nën drejtimin e Vangjel Toçit, arkeologut zbulues që ka ndikuar jo pak në formimin e tij si artist.
Xhixha dhe kolegët e tij italianë e kanë emërtuar ekspozitën e tyre të Durrësit “Art antik dhe kontemporan”, një titull që duket se i shkon për shtat edhe ekspozitave të tjera, që janë hapur kohët e fundit nga artistë të tjerë vendas në mjediset e muzeut më të madh të arkeologjisë në Shqipëri.
Autorët i kanë paraqitur veprat në sallën e ekspozimit në një numër të kufizuar, sipas cikleve krijuese, çka e bën më të lehtë edhe leximin e tyre nga ana e artdashësve.
Ferro dhe Romani dallohen nga individualitetet krijuese, ndërsa disa nga punimet masive të Ilir Xhixhës kanë zënë vend mes objekteve arkeologjike brenda dhe jashtë muzeut.
Kuratori I ekspozitës së Durrësit, Edoardo Di Mauro shkruan se Xhixha “realizon instalacione tredimensionale, disa herë njëfaqëshe, në çelik inoks të dimensioneve të gjera, të gërshetuara dhe të goditura nga lëvizje pëshpëritëse, ose të mbërritura nga një burim misterioz energjie, në një alternim të zgjuar dhe në një ekuilibër mes rregullit dhe parregullsisë”.
Ilir Xhixha e ka ndarë suksesin e tij mes vendlindjes dhe Italisë, ku arti i tij është I pranishëm dhe i vlerësuar prej vitesh.
Ndërkohë Durrësi e ka mirëpritur veprën e tij krijuese, që ka zënë vend vitet e fundit në disa nga sheshet e rinj të qytetit bregdetar.
Pas “Kaligrafisë së dritës” së instaluar në sheshin qendror “Liria”, dy punime të tjera të artistit durrsak janë pjesë e dy rrethrrotullimeve të kohëve të fundit në rrugën “Egnatia” dhe në bulevardin “Taulantia”.
Në të parën, kornizat prej inoxi e shpërfaqin dritën përmes ngjyrave të ndryshme, duke fituar një përmasë të veçantë në një nga sheshet më të ndriçuara të Durrësit.
Tre artistët nga Shqipëria dhe Italia janë në Durrës falë një projekti të përbashkët.
Davide Ferro vjen nga Pavia, jo shumë larg Novarës, qytetit ku punojnë dhe jetojnë dy kolegët e tjerë.
“Kemi ardhur në Durrës falë insistimit të Ilirit – tha Ferro për BIRN. Ne shprehemi me gjuhë të ndryshme artistike, por kjo nuk na pengon të integrohemi, pasi njëlloj si shoqëria, sa më shumë punojmë së bashku aq më shumë përmirsohemi”.
Punimet e Ferros qëndrojnë në harmoni me ato të artistëve të tjerë, dhe ai beson se ky është një nga qëllimet e ekspozitës së përbashkët.
Massimo Romano tha për BIRN se megjithëse vjen për herë të parë, e ka njohur Shqipërinë nga Iliri, me të cilin kanë frekuentuar së bashku Akademinë e Breras në Milano.
“Shkëmimi i ideve e ka bërë më të fortë miqësinë tonë – shton Romano, i cili në ciklin që ka paraqitur në Durrës ka zgjedhur të trajtojë temën e konsumizmit, në të gjitha sferat, përfshirë edhe artin.
Kutitë e ambalazhit janë kthyer në elementin kryesor të veprave të paraqitura nga Romano, tablo që kanë zënë vend në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur një muaj.
“Skulpturat e Ilirit janë shumë aktuale, po ashtu materialet që ai përdor në çelik inox. Skulptura kaq aktuale nuk gjenden lehtë – shton Massimo Romano, që vlerëson po ashtu edhe punimet e kolegut Ferro: Janë tablo të veçanta, që paraqesin njeriun e sotëm si mall konsumi.
Tashmë tre artistët kanë marrë të paktën 10 ftesa për tu paraqitur së bashku në 10 qytete të ndryshme, jo vetëm brenda Italisë.
Sidoqoftë ata janë të kënaqur që po paraqiten së bashku në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.