I dënuar me 2 vjet burg për “fshehje të pasurisë” ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i arratisur nga vendi para vendimit të formës së prerë, është arrestuar në Itali.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llala, i arratisur nga vendi para vendimit të formës së prerë që e dënoi me dy vjet burg për “fshehje të pasurisë”, është arrestuar në Itali të hënën. Genti Mullai, zëdhënës i Policisë së Shtetit i tha BIRN se ende nuk ishte e qartë nëse Llalla ishte dorëzuar vetë apo arrestuar nga policia. “E sigurt është që është ndaluar me qëllim ekstradimi. Për të sqaruar më tej po presim informacion dhe do të nisim njoftim zyrtarë”, tha Mullai në një bisedë telefonike.
Mullai sqaroi se për procesin nuk kishte rëndësi nëse kemi të bëjmë me dorëzim apo me arrestim, pasi në të dy rastet Llalla do i nënshtrohej kërkesës për ekstradim.
Avokati i Lallës Sokol Hazizaj po ashtu i tha BIRN se nuk kishte informacion të qartë për situatën. “Po pres informacionin me shkrim”, tha Hazizaj.
Llalla u dënua me dy vjet burg nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në pranverë të këtij viti. Vendimi mori formë të prerë më 22 shtator në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Llallës iu konfiskuan edhe pasuritë e dyshuara si të fshehura.
Por ish-kryeprokurori ishte larguar nga Shqipëria para se vendimi të merrte formë të prerë. Mes spekulimeve për sëmundje e të ngjashme Llalla u shpall në kërkim nga SPAK. Ai ishte në arrati që prej fundit të shtatorit deri ditën e hënë, kur mësohet se është ndaluar në Itali.