Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë në pyetje për më shumë se 2 orë në Prokurorinë e Tiranës ditën e enjte në lidhje me protestën e udhëhequr prej tij në selinë e Partisë Demokratike kundër pasardhësit të tij në parti Lulzim Basha.
Berisha u thirr për shkak të dhunës që shpërtheu të shtunën, 8 janar, në selinë e PD-së dhe që është kulminimi i përplasjes midis tij dhe liderit aktual Lulzim Basha. Konflikti shpërtheu pas shpalljes së Berishës ‘non-grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe largimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së me urdhër të Bashës.
Pas daljes nga prokuroria Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për dëshminë e tij duke ripërsëritur akuzat publike për Bashën, për të cilin tha se ka mbajtur pranë vetes “vrasës” e “fondamentalistë”. Ai këmbënguli se protesta e organizuar prej tij ka qenë paqësore dhe se dhuna u provokua nga brenda selisë.
I pyetur nga gazetarët nëse i mbështeti në prova pretendimet e tij Berisha u mëshoi thënieve të tij. “Pretendimet e mia janë të vërteta sepse askush nuk mund të më kundërshtojë mua”, tha ish-kryeministri.
Ai shtoi se kishte publikuar në Facebook informacion për emrat e atyre që i cilësoi si mercenarë të Bashës. “Ka foto, por jo vetëm foto kështu që nuk ka asnjeri sot që vë në diskutim ekzistencën e këtij grupi të gjerë mercenarësh, të përbërë nga vrasës, trafikantë, fondamentalistë si roje të Lulzim Bravës”- deklaroi Berisha.
Berisha foli sërish për “revolucion” duke paralajmëruar protesta të tjera në vijim.
Ndërkohë pas daljes së tij nga prokuroria ka reaguar nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili ka ripërsëritur akuzat ndaj Berishës për orkestrimin e dhunës në protestën e 8 janarit. “Ai që e nxiti, paralajmëroi dhe planifikoi dhunën kundër PD është Sali Berisha”- shkruan Alibeaj në facebook duke iu referuar ish-kryetarit.
Prokuria nisi hetimet për protestën e udhëhequr nga Berisha, pas shfaqeve të dhunës në selinë e demokratëve, ndërsa pritet të thirren për të dëshmuar edhe deputetë e drejtues të kësaj partie. Gjatë ndërhyrjes së forcave policore për shpërndarjen e protestuese u ndaluan 34 persona nga të dyja krahët.