Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Vlorës, Bevis Shehaj do të përballet të enjten më 10 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Olsi Komici.
Bevis Shehaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtar në Gjykatën Administrative të Vlorës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga gjyqtari Bevis Shehaj nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].
Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2015, gjyqtari Bevis Shehaj deklaron pasuri me vlerë 6.3 milionë lekë, pasuri e cila mbetet e pandryshuar edhe në fund të vitit 2017.
Shehaj zotëron pasuri të paluajtshme prej 4.5 milionë lekësh, një automjet me vlerë 1.8 milionë lekë si dhe likujditete bankare prej 11 mijë lekësh.
Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 1.9 milionë lekë dhe kanë si burim në 100 për qind të tyre pagën nga funksioni i gjyqtarit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për tre vite, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mungesën e deklarimit të burimit për pasuritë e vendosura para fillimit të detyrës; respektivisht një apartament dhe garazh me vlerë 33 mijë euro në Dajt si dhe një automjet me vlerë 13,150 euro.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al