Aktivistët e shoqërisë civile pritet të dalin në shesh të martën mbasdite në protestën e radhës kundër rritjes së çmimeve. Ndërkohë ato kanë hedhur poshtë akuzat e deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka që i sheh si bashkëpunëtor me kryeministrin Edi Rama.
“Politikanëve të mumifikuar për 30 vite në partitë e tyre, si rasti i Palokës ju duket vetja si pronarë të shesheve dhe mikrofonave dhe nuk arrijnë ta perceptojnë dot se vetë qytetarët e keqpërfaqësuar prej tyre mund të kthehen në zotërues të shesheve dhe mikrofonave,” tha Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës “Qendresa qytetare”dhe një prej organizatorëve të protestave.
Protesat nisën si reagim kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kulmuan me 12 mars në një nga tubimet më masive jopartiake të viteve të fundit, kur mijëra qytetarë u derdhën në Sheshin Skënderbej dhe më pas, marshuan për te selia e kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri Rama i cilësoi tubimet si të pamoralshme, duke pretenduar se po prishnin imazhin e Shqipërisë në sytë e botës në kohën e një krize botërore. Por më vonë u tërhoq duke propozuar një paketë masash për mbrojtjen e kategorive në nevojë nga rritja e çmimeve.
Në një deklaratë në rrjetin social Facebook të dielën, deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka i kërcënoi aktivistët e shoqërisë civile të largoheshin nga protesta, duke i akuzuar ato se bashkëpunonin me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Ata që Rama i ka si grup të gatshëm, gjoja “shoqëri civile” e që i fut qëllimisht në çdo protestë qytetare vetëm me një qëllim: të shuajnë protestën,” shkroi Paloka, ndërsa paralarmëroi se “ata zë hollët e paguar nga Rama, duhen kapur të parët e nxjerrë për bythe jashtë protestës.”
Ndaj deklaratës së Palokës kanë reaguar dhe aktivistë të tjerë në rrjetet sociale. Aktivistja Doriana Musai i kujtoi deputetit të opozitës se “protesta nuk është pronë e partisë, por është armë e demokracisë”.
“Zoti Paloka duhet të dëgjojë më shumë dhe të flasë më pak, sepse ka marrë detyrën të përfaqësojë zërin e qytetarëve dhe jo t'i anatemojë ata dhe iniciativat e tyre”, shkruan ajo në një reagim në rrjetin social facebook.
Edhe përfaqësues nga grupimi i majtë “Organizata Politike” – një nga organizatoret e protestave, e cilësuan deklaratën e Palokës si tentativë për të shuar shpirtin e protestës.
Aktivisti i OP-së, Kristjan Zoto, përmend disa raste të mëparshme protestash qytetare, të cilat sipas tij PD nuk i ka mbështetur, pasi ka mbajtur anën e “oligarkëve”.
“Mesa duket këtë herë oligarkia po përdor edhe Edi Palokën për të sulmuar protestuesit që kanë dal në rrugë e po thërrasin të vërtetën ‘shteti i Çet Kastratit dhe Samir Manes'”, shkruan Zoto në faqen zyrtare të organizatës në Facebook.