Është bërë tashmë një muaj që kur presidenti rus Vladimir Putin hapi luftën kundër Ukrainës. Në fakt, ka dy luftëra: Një luftë ruse e zhvilluar kryesisht kundër qyteteve dhe popullsisë civile të Ukrainës, dhe një luftë e zhvilluar nga forcat e armatosura të Ukrainës kundër trupave ruse. Rusia po fiton të parën, Ukraina po e fiton këtë të fundit.
Në mënyrë ideale, negociatat do të çojnë në një armëpushim dhe një zgjidhje të qëndrueshme. Por ka po aq, nëse jo edhe më shumë gjasa që konflikti të vazhdojë për ca kohë, veçanërisht nëse Putin vendos të përqafojë një strategji që redukton ekspozimin e trupave të tij ndaj luftimeve dhe refuzon një rezultat të negociuar me kushtet që qeveria e Ukrainës mund të pranojë. “Luftë e kufizuar, jo paqe”, për të parafrazuar Trotsky-n, do të ishte rezultati.
Kush do të ishin fituesit dhe humbësit në një skenar të tillë?
Është më e lehtë të tregosh humbësin më të madh: Rusinë. Është e qartë tani se Putini nuk do të jetë në gjendje të arrijë objektivat politike që ai ka të ngjarë të kërkojë, pra, të marshojë në Kiev dhe të zëvendësojë qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me një qeveri miqësore me Kremlinin. Lufta e zgjedhur e Putinit mund të ketë shkatërruar fizikisht pjesën më të madhe të Ukrainës, por sanksionet e paprecedentë dhe izolimi ekonomik që ka sjellë vendimi i tij po e shkatërrojnë Rusinë ekonomikisht.
Përveç kësaj, shumë rusë të talentuar janë larguar nga vendi. Për më tepër, ushtria ruse është shkatërruar (duke humbur deri në 15,000 ushtarë në një muaj) dhe do të duhen vite që ajo të rindërtohet.
Përllogaritja është më komplekse kur bëhet fjalë për Ukrainën. Qëndrueshmëria e lidershipit, shoqërisë dhe forcave të armatosura të saj janë një mrekulli. Identiteti kombëtar është më i fortë se kurrë; Rezistenca e vendosur e Ukrainës ka forcuar demokracinë e saj të re.
Por ky forcim ka ardhur me një kosto të madhe. Rreth dhjetë milionë ukrainas – një e katërta e popullsisë – janë të zhvendosur brenda vendit ose jashtë tij. Ekonomia është rrënuar. Rindërtimi do të kërkojë shumë kohë dhe shumë para.
NATO-ja, edhe pse e pa testuar ushtarakisht, është një fituese e madhe deri tani. Ajo është më e bashkuar dhe më e fortë si rezultat i agresionit të Rusisë. Ajo përfiton gjithashtu nga performanca e dobët e forcave të armatosura ruse, të cilat duket se nuk mund të krahasohen me aleancën perëndimore.
Gjermania dhe qeveria dhe kancelari i saj i ri janë një tjetër fitues i madh. Në përgjigjen e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz nënkuptohet se trashëgimia e paraardhëses së Scholz, Angela Merkel, tani është më e përzier, sepse ajo lejoi që Gjermania të bëhej kaq e varur nga energjia ruse.
Vendimi i Scholz për të anuluar gazsjellësin Nord Stream 2, angazhimi për të dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes dhe gatishmëria për të dërguar armë në Ukrainë tregojnë ndryshime dramatike dhe të rëndësishme. I vetmi zhgënjim është se do të duhen vite që ekonomia gjermane të largohet nga gazi rus.
Presidenti amerikan Joe Biden ka fituar gjithashtu. Ai në pjesën më të madhe të kohës ka menaxhuar me mjeshtëri një politikë që mbështetet Ukrainën, penalizon Rusinë dhe, duke refuzuar thirrjet për dërgimin e trupave në terren ose krijimin e një zone ndalim-fluturimi dhe e bëri këtë pa rrezikuar Luftën e Tretë Botërore.
Biden ka bashkuar gjithashtu aleatët e Amerikës, diçka shumë e nevojshme pas katër viteve të Donald Trump dhe një tërheqjeje të gabuar të SHBA-së nga Afganistani. Një gabim i madh nga ana e tij është që e ka quajtur Putinin një kriminel lufte dhe ka lënë të kuptohet një ndryshim regjimi kur qëllimi i politikës amerikane duhet të jetë që ta detyrojë Putinin të ndalojë luftën dhe të shmangë përshkallëzimin e çdo lloji.
Kina dhe presidenti i saj, Xi Jinping, janë në një pozicion më të keq strategjik sesa ishin vetëm një muaj më parë. Duke u shoqëruar ngushtë me Putinin, Xi e ka ekspozuar veten ndaj kritikave për një gjykim të gabuar që dëmton reputacionin e Kinës dhe rrit rreziqet që ajo të vihet në shënjestër të sanksioneve dytësore.
Ndërsa Kina ka kërkuar prej kohësh ta ndajë Perëndimin, rreshtimi i saj me Rusinë ka bërë të kundërtën, duke tjetërsuar Evropën Perëndimore, ku kishte bërë depërtime të rëndësishme ekonomike. Kjo do të sjellë gjithashtu një politikë shumë më të ashpër të SHBA-së ndaj Kinës dhe do të nxjerrë në pah kostot me të cilat mund të përballet Kina nëse do të vepronte ndonjëherë ushtarakisht kundër Tajvanit.
Përndryshe, ka më shumë humbës sesa fitues, siç i ka hije një lufte. Kombet e Bashkuara dhe veçanërisht Këshilli i Sigurimit duken të padobishëm. Lufta është e keqe për përpjekjet globale për të ngadalësuar përhapjen e armëve bërthamore. Ukraina hoqi dorë nga rezervat e saj 28 vjet më parë në këmbim të një garancie për integritetin e saj territorial, vetëm për t’u pushtuar dy herë që nga viti 2014. Kriza ka qenë gjithashtu e keqe për përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike, të cilat të paktën përkohësisht duket se kanë zënë vendin e dytë ndaj masave të hartuara për të promovuar sigurinë energjetike.
Kjo është gjithashtu një krizë e keqe për ata që kanë argumentuar se pushtimet territoriale dhe luftërat midis vendeve i përkasin së shkuarës ose ata që kanë argumentuar vitet e fundit se gjërat nuk kanë qenë kurrë më mirë. Ngjarjet kanë qenë gjithashtu kundër argumenteve të atyre në të majtë dhe të djathtë se rreziku më i madh për sigurinë ndërkombëtare është përhapja e Amerikës dhe se Shtetet e Bashkuara mund të fokusohen në mënyrë të sigurt te çështjet e brendshme të vendit.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është çështja se çfarë do të nënkuptojë ky konflikt për rendin botëror. Pushtimi i Rusisë shkeli parimin më themelor të arsyes pse ekziston stabiliteti në botë: se kufijtë nuk duhet të ndryshohen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Shumë do të varet nga fakti nëse Putini do t’ia hedhë pas me këtë që po bën ose nëse çmimi që ai do të duhet të paguajë tejkalon çdo fitim. Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, do të përcaktojë vendimin përfundimtar të historisë në lidhje me atë që u fitua dhe u humb në luftën e Putinit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Winners and Losers in Putin’s War