Gjykata e Lezhës ka dënuar me nga 1 vit burg 3 persona, në lidhje me akuzën e tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Vëllezërit Vasil Frroku, Martin Frroku dhe Ndue Frroku u gjetën fajtor për “Falsifikim të dokumenteve”.
Pasi shqyrtoj çështjen në themel, gjyqtarja Elsa Ulliri doli në konluzionin se tre vëllezërit kanë konsumuar elementë të vepres penale për të cilen ishin vënë nën akuze dhe i dënoi ata në mungesë. Vasil Frroku, Martin Frroku dhe Ndue Frroku, ishin pjesë e skemës së tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin në rolin e përfituesit të tokës. Ata u hetuan si pjesë e të njëjtës çështje për të cilën është dënuar dhe ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj. Çështja për vëllezërit u nda në gjykatë, për shkak se ata nuk ishin në Shqipëri dhe nuk u ndaluan si pjesa tjetër e të akuzuarve.
Frrokaj dhe të tjerët po ashtu u dënuan në Gjykatën e Shkallës së Parë, por vendimi për këtë rast nuk ka marrë ende formë të prere, pasi çështja është në shqyrtim nga Gjykata e Apelit në Shkodër. Gjykata e Shkallës së parë në Lezhë ne muajin shtator të vitit 2020 shpalli fajtor dhe dënoi me katër vite burg për “Shpërdorim detyre” Frrokajn, ndërsa bashkë me të u dënuan edhe 16 persona të tjerë.
Por vendimi u kthye pas nga Gjykata e Apelit në Shkodër për proces të parregullt. Pas rekursit të prokurorisë Gjykata e Lartë e dërgoi çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit në Shkodër. Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.