Komisioni për Reformën Territoriale zhvilloi të mërkurën dëgjesa me drejtues lokalë për problematikat e reformës territoriale të miratuar në vitin 2014. I pranishëm në komision, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku propozoi që në reformën e re kryeqytetit t'i bashkohen edhe Kamza e Vora në administrim, ide që u kundërshtua nga opozita.
Duke e cilësuar reformën e 2014-ës një sukses për administrimin e bashkisë më të madhe në vend, Mazniku u tha deputetëve se ky sukses do të ishte më i thellë nëse do të bashkohej edhe Vora e Kamza me Tiranën.
“Do të bënte sens nga ana ekonomike, financiare dhe administrative dhe nga cilësia e jetës së qytetarëve,” tha Mazniku, duke shtuar që “këta të fundit të mos kishin ndjesinë si pjesë e një qyteti të nivelit të dytë”.
Sipas tij, të dy njësitë administrative janë të lidhura në mënyrë organike me ekonominë, me kulturën dhe zhvillimin e Tiranës.
Propozimi u komentua me ironi nga bashkëkryetarja e komisionit, Dhurata Çupi. “Mos doni të merrni dhe Romën e Parisin, t'i mbushni me kulla 24 katëshe?” pyeti ajo.
Ndërsa deputeti Xhelal Mziu, ish-kryebashkiak i bashkisë së Kamzës, shprehu kundërshtinë ndaj kësaj ideje dhe hodhi një ide krejt të kundërt, që të shtohen bashki të reja brenda territorit të Tiranës.
“Unë besoj që zgjidhja do të jetë që Tirana të ketë dhe një bashki në zonën jugore, që fut Farkën e zonat përreth, edhe në pjesën perëndimore me Ndroqin e Pezën apo dhe në pjesën lindore, që mund të ishte Dajti, Zall-Bastari, apo të tjera,” tha ai.
Ndërkohë, opozita ka bërë gati një draft propozimesh ku parashikon shtimin e të paktën 20 bashkive të reja, sidomos në zonat rurale që kanë largësi fizike nga qendrat urbane apo zona që funksionuar edhe më parë si njësi më vete.
Gjatë dëgjesave në komision edhe kryetarët e tjerë socialistë në pushtetin vendor mbrojtën ndarjen administrative aktuale, duke e cilësuar të sukseseshëm administrimin e territorit të tyre.