Bashkia e Pustecit pritet të vendosë në zgjedhjet e 14 majit nëse do të vijojë qeverisjen nga kryebashkiaku aktual, Pali Kolefski, i cili ka punuar më herët në doganën e Korçës dhe që i përket Partisë Socialiste apo ekspertit të turizmit, Pandi Jani, i cili po garon me një platformë antikorrupsion me mbështetjen e Koalicionit Bashkë Fitojmë dhe në veçanti, për Partinë e Lirisë së Ilir Metës.
Bashkia e Pustecit përbëhet nga nëntë fshatra të populluar nga shtetas shqiptarë me kombësi maqedonase.
Bashkia e Pustecit ka votuar në vijimësi për Partinë Socialiste. Në vitin 2007, ajo votoi 55 me 44% për socialistët, ndërsa kulmi u shënua më 2015 me 79% të votave që i shkuan koalicionit PS+LSI. Më 2021, votat u ndanë 55 me 40% në favor të socialistëve.
Pusteci është bashkia më e vogël në vend dhe ajo numëron 4364 votues. Numri i pjesëmarrësve në votime ka rënë në mënyrë dramatike gjatë dekadës së fundit duke reflektuar shkallën e emigrimit nga kjo zonë e thellë malore. Në zgjedhjet e vitit 2021, vetëm 1600 vetë ose 37% morën pjesë në zgjedhje. Shumica e votuesve duket se u ka ikur socialistëve, të cilët, gjithsesi mbeten në avantazh.