Kryebashkiakja socialiste e bashkisë Dimal, Juliana Memaj kërkon më 14 maj një mandat të tretë përballë dy kandidatëve të opozitës, Dritan Sulës nga Partia Demokratike dhe Gentian Meçit nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Sula është një biznesmen në zonë, sipas prezantimit nga Partia Demokratike, ndërsa Gentian Meçi është mësues.
Memaj fitoi mandatin e saj të parë në vitin 2015, pasi pati punuar avokate shteti në Tiranë.
Bashkia e Dimalit shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore në Shqipërinë qendrore dhe ka karakter kryesisht bujqësor ndërsa në territonin e bashkisë ka një numër aktivitetesh të shfrytëzimit të gurit gëlqeror në zonën e Malit të Shpiragut.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Ura-Vajgurore, Poshnje, Kutalli dhe Cukalat. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Berat dhe pjesë e po këtij qarku. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 34 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu.
Bashkia ka një sipërfaqe prej 156 kilometrash katrore. Bujqësia është e përqendruar te zarzavatet dhe bostanoret në fushë dhe në sera, si dhe në ullinj e në vreshta.
Dimali është njohur më herët si Ura Vajgurore dhe ka ndryshuar emrin së fundmi, duke përdorur emrin e një vendbanimi të lashtë që gjendet në territorin e kësaj bashkie.
Bashkia ka 31 mijë qytetarë me të drejtë vote, nga të cilët, 9,300 jetojnë në qytezën e Dimalit ndërsa pjesa tjetër, në ish-komunat përbërëse. Pjesëmarrja në zgjedhje ka ardhur në rënie, nga 56% në vitin 2011, në 47% në vitin 2021, gjë që duket se reflekton shkallën e emigrimit.
Partia Socialiste ka fituar me diferencë të konsiderueshme. Në zgjedhjet e vitit 2021, PS fitoi 49% të votave ndërsa dy partitë kryesore të koalicionit opozitar, PD dhe LSI, morën 40% të votave.