Në prag të seancës kur Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi një kërkesë të disa deputetëve të opozitës për pezullimin e masave të sigurimit të caktuara nga Gjykata e Posaçme.
Më 15 dhjetor, një grup prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit kërkuan në Gjykatën Kushtetuese intepretimin përfundimtar të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, duke parashtruar se ndaj Berishës janë vendosur masat shtrënguese “Detyrimi për paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, pa u kërkuar më parë autorizimi i Kuvendit, sipas përcaktimeve të pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës.
Ata kanë pretenduar se në këto kushte, vendimet gjyqësore për caktimin e këtyre masave ndaj ish-kryeministrit Berisha kanë krijuar një mosmarrëveshje kompetencash midis organit të Kuvendit nga njëra anë, dhe organeve të SPAK-ut dhe GJKKO-së nga ana tjetër. Sipas grupit të deputetëve lind nevoja e interpretimit të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës. Ata petenduan se këto masa janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, për rrjedhojë kanë kërkuar pezullimin e tyre.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha gjatë një konference për shtyp se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare duke arsyetuar se, neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.
Po ashtu, është çmuar se bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit, nga njëra anë, dhe SPAK dhe GJKKO, nga ana tjetër.
“Kushtetuta ka mirëpërcaktuar rastet kur grupeve të deputetëve u janë njohur të drejta si entitete dhe në këtë drejtim, një e pesta e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme që nuk mund të barazohen me njëri – tjetrin”, vlerëson shumica e trupës së gjyqtarëve Kushtetues.
Për rrjedhojë, është çmuar se grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, me argumentin se ai nuk është subjekt në konfliktin e parashtruar, pasi nuk i është marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë.
“Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit,” arsyeton shumica dhe bazuar në këto arsye ka vendosur të mos e kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare – prej nga mbeten pa u shqyrtuar në themelin e tyre pretendimet e deputetëve dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj Berishës.
Kryetarja Zaçaj pohoi se, të drejtën për kërkimin e interpretimit të vendimarrjes së Gjykatës së Posaçme e ka ish-kryeministri Berisha, pas përfundimit të gjykimit në gjithë shkallët e gjyqësorit. Sipas saj, në momentin aktual janë të legjitimuara të bëjnë kërkim në Gjykatën Kushtetuese palët e përfshira në konflikt – SPAK, Gjykata e Posaçme dhe Kuvendi.
Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë miratoi të hënën një kërkesë të SPAK për të lejuar caktimin e një mase arresti ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv në atë që njihet si afera me pronat e Klubit Partizani, pasi Berisha nuk zbatoi masën e mëparshme për detyrim paraqitje. Kërkesa e SPAK për të autorizuar arrestin do të votohet në Kuvend në seancën e së enjtes.