Mëngjesi i së hënës e gjeti Maliq Bilallin në memorialin e civilëve shqiptarë të Kosovës që u vranë në një masakër në fshatin Reçak gjatë luftës, 25 vjet më parë.
Dyzet e katër viktima u varrosën këtu, në vendin e memorialit; trupi i viktimës së 45-të nuk është gjetur kurrë.
“Kujtimet janë të freskëta, si të ishte 25 vjet më parë”, tha Bilalli për BIRN teksa ecte nëpër memorial.
“Kemi dhimbje, por edhe krenari. Ne e kemi lirinë falë sakrificës së tyre”, tha Bilalli duke iu referuar viktimave.
Reçaku u rrethua dhe u sulmua nga forcat serbe të sigurimit mëngjesin e 15 janarit 1999.
Ata hynë në fshat dhe bastisën shtëpitë një nga një. Disa fshatarë u përpoqën të fshiheshin, por u zbuluan, u rrahën, u morën dhe u pushkatuan.
Autoritetet serbe këmbëngulën se viktimat ishin të gjithë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.
Por William Walker, shefi i misionit të OSBE-së për verifikimin e armëpushimit në Kosovë, i cili vizitoi vendin e ngjarjes të nesërmen, e quajti atë një “krim kundër njerëzimit” dhe këmbënguli se viktimat ishin civilë.
Sulmi ishte pjesë e aktakuzës së prokurorisë së Gjykatës së Hagës kundër presidentit të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç. Por asnjë vendim nuk u dha për shkak se Millosheviçi ndërroi jetë në vitin 2006 ndërsa ishte në paraburgim.
Të hënën, Walker përkujtoi viktimat në memorialin e fshatit. Ai foli edhe në një ceremoni përkujtimore në Shtime, duke u ndalur në ndryshimet që ka parë që nga masakra 25 vjet më parë.
“Recaku për mua do të thotë tranzicioni nga ajo që ishte këtu, nga ajo që ishte jeta për shqiptarët që jetonin në Kosovë në atë kohë nën sundimin represiv jugosllav dhe çfarë do të thotë jeta për kosovarët që jetojnë sot në Kosovë, të të gjitha etnive, të të gjitha feve”, tha Walker.
“Ky është një vend tërësisht demokratik dhe jam shumë krenar që kam një pjesë shumë, shumë të vogël të asaj që ky vend është bërë”, shtoi diplomati amerikan në pension, një statujë e të cilit u ngrit në Reçak në 2017.
Masakra e Reçakut provokoi një ndryshim në politikën perëndimore ndaj Kosovës dhe u bë një pikë kthese në konfliktin midis trupave dhe forcave policore të Millosheviçit dhe luftëtarëve të UÇK-së që po luftonin për pavarësi.
Ajo u bë një faktor i rëndësishëm në vendimin e NATO-s për të nisur sulmet ajrore në Jugosllavi dy muaj më vonë për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte trupat e tij nga Kosova.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cilësoi masakrën si “një pikë kthese në historinë tonë”.
“Masakra e Reçakut është në kujtesën tonë të përhershme për shkak të brutalitetit ndaj fëmijëve, grave dhe burrave që vuajtën vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Osmani në një përkujtimore të hënën.
“Ne jemi sot këtu, mbi të gjitha, për të kërkuar drejtësi… kjo masakër ka dëshmitarë të gjallë që përjetuan terrorin e asaj dite”, shtoi ajo.
Liderët politikë serbë kanë vazhduar të mohojnë se ndodhi ndonjë masakër ndaj civilëve. Në vitin 2019, presidenti serb Aleksandër Vuçiç pretendoi se ajo ishte “e gjitha e sajuar nga ai mashtruesi global, William Walker”.
Të hënën në mëngjes në Beograd, transmetuesi publik serb, RTS intervistoi ish-komandantin e forcave speciale të policisë së vendit, Goran “Guri” Radosavljeviç, i cili udhëhoqi operacionin në Reçak.
Radosavljeviçi pohoi se në atë kohë nuk kishte civilë në fshat dhe se operacioni kishte në shënjestër vetëm luftëtarët e UÇK-së.
Ai gjithashtu pohoi se “vendimi ishte marrë tashmë në Perëndim” që NATO-ja të nisë fushatën e saj ajrore kundër Jugosllavisë edhe para Reçakut, duke këmbëngulur se “ne do të ishim bombarduar në një mënyrë apo në një tjetër”.
Prokurori special i Kosovës tha në janar 2023 se Radosavljeviçi është një nga të dyshuarit e kërkuar për masakrën e Reçakut.
Kryeministri Albin Kurti u zotua të hënën se Kosova dhe populli i saj “nuk do t'i falin krimet e luftës të kryera nga Serbia në Reçak apo askund tjetër”.
Ai tha se mizoritë e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 “nuk mund të fshihen nga historia e shtetit serb që i ka kryer këto krime, apo nga historia e Kosovës dhe popullit të saj që ka vuajtur nga këto krime”.
Në vetë Reçak, banori vendas Maliq Bilalli i bëri jehonë zemërimit të Kurtit.
“Nuk është bërë asgjë që të vendoset drejtësi për këtë masakër. Është shumë e dhimbshme. Nëse ata nuk kanë qenë në gjendje të hedhin dritë mbi të deri tani, nuk e di se kur do të jenë në gjendje ta bëjnë”, tha ai.
Vitin e kaluar autoritetet e Kosovës njoftuan se po kërkojnë arrestimin e 18 serbëve të dyshuar për masakrën. Tashmë është ngritur një aktakuzë.