Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të premten se me shumicë votash kishte vendosur të lërë në fuqi vendimin që konfirmon në detyrë prokurorin Ylli Bashaj, duke rrëzuar ankimin e Komisionerit Publik.
KPA bëri me dije se shumica e gjeti vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të drejtë dhe vendosi që ai të lihej në fuqi. Sipas shumicës një diferencë negative që iu gjet Bashajt në transaksionet për blerjen e një apartamenti, nuk ishte në nivele domethënëse.
Bashaj, i cili u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor të vitit që shkoi, u përball në KPA me ankimin e Komisionerit Publik dhe një rekomandim të ONM që kërkojnë hetim më të plotë të pasurisë së prokurorit.
Bashaj u përball kryesisht me pyetje që kishin të bënin kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000. Ai këmbënguli në vërtetësinë e deklarimeve dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Bashaj u gjykua nga një trupë e kryesuar nga Albana Shtylla, me anëtar Natasha Mulaj, Sokol Çomo, Ina Rama dhe Mimoza Tasi.