Gjykata e Lartë ka kaluar për shqyrtim në seancë gjyqësore kërkesën e familjarëve të viktimave të vrarë në protestën e opozitës socialiste më 21 Janar 2011 kundër qeverisë së drejtuar në atë kohë nga ish-kryeministri Sali Berisha, për kalimin e çështjes për hetime në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
“Kolegji vlerësoi të nevojshëm dëgjimin e palëve për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore”, u shpreh Gjykata e Lartë dhe bëri me dije se seanca gjyqësore do të zhvillohet me praninë e palëve m datë 12 mars në orën 13:00.
E sulmuar nga kryeministri Edi Rama për mungesë shtylle korrizore sa i përket hetimeve të vrasjeve dhe plagosjeve të 21 Janarit 2011, Prokuroria e Tiranës lëshoi një deklaratë për mediet më 22 janar, duke bërë me dije se kishte rinisur hetimet dhe kishte kërkuar ndihmë jashtë vendit, për zbardhjen e vrasjes së dy protestuesve më 21 janar, të mbetura pa autorë prej vitesh.
Vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me rradhë në kërkim të provave.
Po ashtu, prokuroria tha se kishte marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të nëntorit të vitit të kaluar, e cila ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe ka gjetur shtetin shqiptar fajtor për shkelje të së drejtës së jetës dhe asaj të hetimit.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendim i kërkon Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. GjEDNJ gjeti po ashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimet e ngjarjes duhej të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.