Vend-depozitimi i vjetër i mbetjeve urbane në Shkodër vazhdon të përbëjë një kërcënim për banorët e zonës pasi është kthyer në një vatër rreziku për infeksione dhe sëmundje të aparatit të frymëmarrjes.
Pranë varrezave të dëshmorëve, në brigjet e Lumit Kir në Shkodër, dhjetëra familje vazhdojnë të bashkëjetojnë me qindra tonelata mbetje urbane.
Çdo ditë pranë kësaj zone njerëz në nevoje dhe endacakë, mes tyre edhe fëmijë, gërmojnë në pirgjet e mbeturinave për të ricikluar materiale plastike dhe metali.
Deri pak muaj më parë ky vend shërbente si venddepozitimi për plehrat e qytetit, derisa landfilli i ri i Bushatit u ndërtua.
Megjithatë qindra tonë mbeturina mbeten akoma në ish vend-depozitimin e pa pastruar, të cilat shpesh digjen dhe kërcënojnë banorët e zonës përreth me gazrat që çlirojnë.
“Në këtë zonë gazrat që çlirohen nga djegia e mbeturinave, edhe pse jo me intensitetin e dikurshëm janë shumë të rrezikshme,” thotë Artan Meksi, shefi i Epidemiologjisë pranë Instituti të Shëndetit Publik në Shkodër.
“Dioksina dhe furani që çlirohen nga ky proces, janë ndër 12 ndotësit organikë kancerogjenë, më të qëndrueshëm në botë pa folur për ndotjen e ujërave nëntokësore e sipërfaqësore,” shtoi ai.
Në qarkun e Shkodrës prodhohen rreth 165 ton mbetje urbane në ditë ose rreth 60 mijë ton në vit.
Sipas planit kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, Shqipëria është e ndarë në 12 rajone, njëri prej të cilëve është dhe zona e Shkodrës.
Pjesë e planit të menaxhimit të mbetjeve të qarkut Shkodër, i mbështetur nga Bashkimi Europian, nëpërmjet projekteve Impael dhe Selea, ka qenë dhe ndërtimit i landfillit në Bushat.
Ky landfill i ri prej më një kapacitet prej 1 milionë metra kub mbetje, i ndërtuar me një investim prej 4.16 milionë euro.
Megjithëse landfilli i ri është ndërtuar sipas standardeve mjedisore Europiane, zyrtarët vendor në Bashkinë e Shkodrës pranojnë që venddepozitimi i vjetër vazhdon të përbëj një shqetësim.
Për ta pastruar këtë zonë nga mbetjet Bashkia ka hartuar një projekt me tre faza, i cili është konform të gjitha ligjeve dhe konventave mjedisore të vendeve të BE-së, dhe mendohet të ketë një kosto prej 227 milionë lekësh.
Por me fondet e saj Bashkia e ka pamundur ta financojë këtë projekt, që prej katër vitesh mbledh pluhur në sirtarët e saj.
“E rëndësishme është që projekti të realizohet ashtu siç është parashikuar, me të gjitha parametrat,” pohon Fred Luleta drejtori i shërbimeve publike pranë Bashkisë së Shkodrës.
“ Duhet që ndërhyja të bëhet e plotë, pasi kemi një amortizim të të gjithë zonës,” shtoi ai.
Ky artikull u mundësua nga organizata CRCD