Askush nuk mban përgjegjësi për mbeturinat që derdhen pa kriter në liqenin e Komanit.
“Ata zakonisht më pyesin dhe më vjen kaq turp?’ Kjo ishte një copëz nga biseda që zhvillova me një mikun tim nga Elbasani, i cili punon si guidë për turistë të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Mendova…të kesh turp nga vendi yt është njëkohësisht një turp më vete. Por kuptova që miku im Edi kishte të drejtë teksa shoh se si plehrat kanë mbuluar liqenin e Komanit.
Askush nuk thotë asgjë dhe nuk merr një përgjegjësi, pasi përgjegjësinë ia kalojnë gjithmonë një pale tjetër dhe ndërkohë liqeni mbetet gjithmonë jetim.
Frika e pushimit nga puna i ka kyçur gojën autoriteteve vendase, ndërkohë si gazetare kërkoj të nxjerr në dritë se përse nuk pastrohet liqeni i Komanit dhe kush e katandisi në një pellg të ndotur me mbeturina.
Liqeni i Komanit, ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, dhe është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit. Ai ka sipërfaqe 12 kilometrash katrorë, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m.
Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike.
Pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 p.e.r., e cila lidhet me historinë e hershme të vendit.
Mungesa e organizimit, qoftë prej autoriteteve lokale, qoftë prej agjencive turistike, e ka lënë krejtësisht në hije shfrytëzimin turistik të kësaj zone me potenciale të jashtëzakonshme, e cila po të shfrytëzohej qoftë dhe në mënyrë të pjesshme, do të ndikonte pozitivisht në mënyrë të drejtpërdrejt në të ardhurat ekonomike të të gjithë zonës.
Në përpjekje për të folur me dikë që e sheh situatën çdo ditë arrij të komunikoj me një punonjës të hidrocentralit të këtij liqeni.
“Shiko moj motër, nuk është faji jonë,” thotë ai. “Tonelata plehrash vijnë çdo ditë në liqen nga lumejtë që derdhen në të. Nuk ka si të ndodhe ndryshe, këtu është bërë si kazan plehrash. Tani të bësh një udhëtim me anije në liqen nuk është më si më parë.”
“Tani qelbet erë dhe të vjen turp që bukuria e natyrës është katandisur kështu,” shton punonjësi që ka frikë të indetifikohet me emër.
Ai punonjës nuk kishte faj. Vërtet udhëtimi përrallor në këtë liqen është kthyer në një keqardhje të përtejme.
Flitet që për gjendjen e rëndë mjedisore e ka fajin ndarja e re administrative, me të cilën opozita nuk është dakord.
Gjithashtu, qarkullojnë zëra që mos ndoshta emërimet e reja politike në administratë, e kanë dobësuar atë dhe e kanë kthyer liqenin në një vend ku gjithkush mund të hedhë aty ç’të dojë.
Çuditërisht punonjësi i hidrocentralit ankohet, se ndryshe nga më parë, duhet të paraqitet çdo ditë në punë që të marrë rrogën.
“Sa u ndërrua pushteti, këtu u ndërrua drejtori. Me të parin ishim rehat, por ky i dyti na e ka mbledhur,” thotë ai.
“Çdo ditë në punë si Çeçoja. Këtu puna ecën për mrekulli, vetëm se drejtori na do çdo ditë në punë,” shtoi punonjësi.
Ky artikull është publikuar si pjesë e programit REA të CRCD