Lajm3 Apr 2020

Aksion i SPAK, dy zyrtarë arrestohen për korrupsion me dyqanxhiun e burgut

Drejtori i Burgut “Jordan Misja” dhe shefi i logjistikës u arrestuan në flagrancë pasi u kapën duke marrë para nga një tregtar që lejohej t’u shiste mallra të ndryshëm të burgosurve, në një aksion të kryer me “metoda speciale” nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja pas intervistës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Foto: LSA

Dy zyrtarë në burgut 313 u arrestuan në kushtet e flagrancës të Premten nën akuzat e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën, në një aksion të kryer nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit dhe Korrupsionit, SPAK, institucionit të ri të drejtësisë së krijuar pas Reformës posaçërisht për të luftuar krimin dhe korrupsionin e nivelit më të lartë. Bashkë me dy zyrtarët mësohet se u arrestua edhe tregtari i cili, përkundrejt bakshisheve të majme për zyrtarët, lejohej të bënte tregti brenda burgut.

SPAK bëri të ditur se hetimi është kryer me “metoda speciale”, term që zakonisht  nënkupton kryerjen e përgjimeve.

Eduard Struga, drejtor i burgut, përfundoi në pranga bashkë me Shefin e Logjistikës, i cili raportohet të ketë inicialet F. A. Këtij të fundit iu gjetën 100 mijë lekë, të cilat i kishte marrë nga shtetasi E.K.

SPAK nuk dha detaje të shumta mbi ngjarjen, por thotë se zyrtarët kanë marrë “shuma të konsiderueshme” dhe në vijimësi ndërsa tregtari ka përfituar të drejtën për të shitur mallra për të burgosurit.

“Funksionarët publikë të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij hetimi, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar dhe marrë shuma të konsiderueshme parash, (rreth 550 mijë lek) si përfitim i parregullt, në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregëtar në ambjentet e brendshme të IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë,” thuhet në njoftimin e SPAK.