Gjykata e Shkodrës dha masa sigurie “arresti me burg dhe shtëpie” për 9 mjekë e punonjës të spitalit rajonal të Shkodrës përfshi dy ish-drejtues, të akuzuar për abuzim të 34.4 milion lekëve. Kolegët e tyre protestuan, e cilësuan arrestimin të paprecedentë dhe thanë se vinte në rrezik pacientët. Ata thanë se mjekët nuk merreshin me tendera.
Gjykata e Shkodrës dha të mërkurën masa sigurie “arrest me burg” dhe “arrest shtëpie” për 9 punonjës të spitalit rajonal të Shkodrës, mes të cilëve dy ish-drejtues të këtij spitali.
Dy ish-drejtuesit e spitalit Përparim Çela i arrestuar dhe mjekja Dhurata Uruçi e shpallur në kërkim dhe disa mjekë e punonjës të reparteve të hemodinamikës dhe kardiologjisë, akuzohen nga prokuroria për abuzim me detyrën në një vlerë prej 34.4 milion lekësh, për blereje jashtë nevojave që kishte spitali. Tre persona janë arrestuar, dy janë shpallur në kërkim ndërsa katër janë lënë me masë sigurie “arrest në shtëpi” nga gjykata.
Ndërsa ende nuk ka një qëndrim nga avokatët e të akuzuarve, kolegët e tyre organizuan një protestë dhe dënuan veprimet e prokurorisë. Anëtarë të komisionit mjekësorë në spital, e cilësuan arrestimin si akt të paprecedentë, ndërsa thanë se blerejet vendoseshin nga Ministria e Shëndetësisë dhe mjekët ishin të fundit që kishin përgjegjësi.
“Çdo mjek që merr pjesë në këto komisione dhe firmos për blerjet e nevojshme për të mirën e spitalit është i fajtori i fundit në të gjithë këtë sistem, pasi dikasteri vendos”, tha mjeku Gëzim Galiqi. Mjekët pretendojnë se arrestimi i kolegëve krijon një situatë të rrezikshme për pacientët, pasi të ndaluarit nuk mund të zëvendësohen.
Abuzimet me financat në shëndetësi kanë qenë edhe më herët në qendër të vëmendjes. Një sërë koncesionesh të dhëna nga qeveria, si ai për ofrimin e shërbimit të hemodializës, Chech Up dhe ai i laboratorëve, janë kontestuar publikisht ndërsa ka pasur akuza për abuzime me to. Prokuroria nisi hetimet rreth akuzave për abuzim në vitin 2015, por hetimet u pushuan në maj 2017.
Lexo më shumë:
Spitali i rrënuar i Peqinit, kosto tetë herë më të larta për pacient se QSUT
Koncesioni i Dializës realizon 380 mijë euro fitime ende pa nisur mirë punën
Koncesioni i sterilizimit u kushton 3.2 milionë USD shqiptarëve në 10 muajt e parë
Koncesioni i hemodializës i transferohet kompanisë guaskë në Amsterdam
Hetimet në Shkodër nisën pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili gjeti se Spitali i Shkodrës kishte blerë në vitin 2016, 400 stenda (katetër, koronare dhe sete kirurgjikale të kardikirurgjisë) me vlerë rreth 11 milion lekë, ndërkohë që aty ishin bërë vetëm 3 operacione. KLSH po ashtu gjeti se megjithëse nuk kishte përdorur sasinë prej 397 stendash në vitin 2017 spitali i Shkodrës kishte bërë kërkesë dhe më pas edhe kontrata për një sasi të dytë prej 700 stendash. “Duke mos marrë parasysh gjendjen e stokut, afatin e skadencës, kapacitetin e spitalit, ndërhyrjet e planifikuara për atë vit”, thuhet në akuzën e ngritur nga prokuroria.
Prokuroria bëri me dije se kishte filluar hetimin e çështjes pas kallëzimit të KLSH dhe dy muaj pas nisjes së hetimeve kërkoi në gjykatë arrestimin e ish-drejtorit të spitalit Përparim Çela, ndërsa njoftohet se është shpallur në kërkim ish-drejtoresha dhe mjekja Dhurata Uruçi. Po ashtu është arrestuar shefi i koreonarografisë Luan Dragusha dhe infermieri Renato Kepi.
Farmacistja Karmen Kaçulini është lënë nga gjykata me masë sigurie “arrest ne shtepi” ashtu si Amanda Matlija, Juliana Zhuri dhe Albana Mehmetaj, punonjës në spitalin e Shkodrës. Ndërsa është shpallur në kërkim mjeku Edmir Smajli.
Sipas prokurorisë porositë për të blerë barna dhe medikamente apo paisje që përdoreshin në operacionet e kardiologjisë, ishin bërë pa pasur parasysh mundësitë që kishte spitali për të bërë operacione.
Ndërkohë anëtarë të komisionit mjekësorë në një protestë të improvizuar brenda spitalit i cilësuan arrestimet të paprecedenta dhe të rrezikshme. “Me dhjetra pacientë që vuajnë nga sëmundjet e zemrës nga sot rrezikojnë” tha mjeku Gëzim Galiqi. Komisioni tha se akuzat e prokurorisë nuk qëndrojnë duke fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë e cila sipas tyre vendos për çdo blerje në spital.
Në mbrojtje të kolegëve mjekët thanë se blerjet bëheshin me konsultim dhe miratim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mjekët, famacistët e infermierët i kanë pranuar ato.
Një fakt që e ka pranuar edhe prokuroria në kërkesën drejtuar gjykatës për masa arrresti. “Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesën e spitalit të Shkodrës duke bërë kontratat përkatëse”, thuhet aty.
Ndërkohë mjeku tjetër Luan Bajri thotë se blerjet ishin bërë në kushtet kur fluksi i operacioneve nuk ishte llogaritur, pasi shërbimi ishte i ri. “Ky ka qenë shërbimi i parë spitalor jashtë Tiranës dhe sektorit privat. Nuk dihej numri i nevojave sepse ishte një shërbim i ri dhe një sfidë shumë e vështirë”, tha ai.
Ndërkohë një punonjëse e administratës Vinjola Bërthamza këmbënguli në lirimin e të ndaluarv e “të akuzuarit nuk janë njerëz të rrezikshëm dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë për zbardhjen e së vërtetës”, tha ajo. Komisioni mjekësorë paralajmëroi përshkallëzim të protestave në rast se kolegët e tyre nuk liheshin të lirë.