Aktivistë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe qytetarë të Tiranës protestuan të enjten para Pallatit të Kongreseve ndërsa i bënë thirrje zyrtarëve të BE të jenë më kritikues ndaj korrupsionit dhe politikanëve shqiptarë.
Një grup qytetarësh dhe aktivistësh nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit protestuan të enjten jashtë Pallatit të Kongreseve, ku po zhvillohej një takim i ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit me ministren austriake për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Karin Kneissel.
Aktivistët, të cilët prej disa muajsh protestojnë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, i kërkuan institucioneve të Bashkimit Europian në Shqipëri të kenë një zë më aktiv ndaj korrupsionit dhe shkeljeve të qeverisë.
Duke denoncuar veprimet e qeverisë Rama me ligjin special për teatrin kombëtar si ‘skemë korruptive', aktivistët shprehën shqetësimin e tyre për pamjaftueshmërinë e angazhimit të Komisonit Europian në respektimin e Kushtetutës në vend dhe çështjen e shumëpërfolur të teatrit.
“Duke hequr dorë nga çdo detyrim për të komentuar problemet e shkaktuara nga “ligji special”, është e arsyeshme për ne të dyshojmë se ju sot përdorni standarde të dyfishta në punën dhe praktikën tuaj,” lexoi aktori Neritan Liçaj, deklaratën e aktivistëve në protestë drejtuar komisionerit europian për fqinjësinë dhe zgjerimin, Johannes Hahn, të cilin ata prisnin të ishte në takim, por që nuk u shfaq, i zëvendësuar nga kolegia Kneissel.
Protestuesit iu referuan një letre të dërguar qeverisë shqiptare nga Komisioni Europian, në shtator ku Komisioni kritikoi si të papërshtatshme procedurat e ndjekura nga qeveria për projektin e ndërtimit të teatrit të ri kombëtar, pasi ato nuk bazoheshin te parimi i garës së drejtë mes kompanive.
Ndërsa përgatitej për të rivotuar në parlament projekligjin special që i jepte 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës kompanisë Fusha Sh.p.k, në shkëmbim të ndërtimit të një ndërtese të re për Teatrin Kombëtar, qeverisë së kryeministrit Edi Rama iu desh të bënte disa ndryshime në ligjin e kthyer nga presidenti Meta, duke shtuar elementin e garës te kompanitë e interesuara për projektin.
Megjithatë, në letër Komisioni Europian arsyetoi se nuk mund të shprehet mbi përputhshmërinë e Ligjit Special me legjislacionin shqiptar, i kundërshtuar nga protestuesit si antikushtetues dhe shkatërrues për trashëgiminë kulturore.
Ky hezitim i ka zemëruar aktivistët dhe qytetarët në mbrojtje të teatrit, të cilët e kanë etiketuar letrën si zhgënjyese dhe që bie ndesh me objektivin e BE-së në Shqipëri për demokraci dhe shtet ligjor.
“Ne vlerësojmë se letra ishte zhgënjyese dhe bie ndesh me gjithë propagandën, fondet, kohën, dhe burimet që BE ka shpenzuar për vite me radhë për forcimin e parimeve të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri,” shtoi ai.
Aktivistët bënë thirrje që zyrtarët e Bashkimit Europian të mos mbështesin politikanët për hir të stabilitetit të vendit, ndërkohë që ata shfaqin padrejtësi, korrupsion dhe kriminalitet.
“Është detyra juaj të mbështesni popullin shqiptar dhe jo politikanët, të mbështesni aspiratat dhe dëshirat e tij evropiane dhe jo kapriçot e etjen për pushtet të politikanëve që ngrihen mbi ligjet dhe mbi vullnetin e njerëzve,” përfunduan ata.