Interviste28 Feb 2021

Arkeologu: Torra ‘veneciane’ e Durrësit është ndërtim i sundimit Osman

Në një intervistë për BIRN, arkeologu Eduard Shehi shprehet se studimet dhe sondazhet arkeologjike sugjerojnë se ashtuquajtura torra ‘veneciane’ e Durrësit, me shumë gjasa është një ndërtim i periudhës osmane.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Arkeologu Eduard Shehi

Me 4 gusht 1606, një armatë me 26 galera spanjolle u nis nga Brindisi e komanduar nga markezi i Santa Kruzit, Alvaro de Bazan dhe në orën 1 të natës zbarkoi në portin e Durrësit, duke e sulmuar qytetin me 3600 ushtarë.

Të zënë në befasi, osmanët – të cilët e kishin pushtuar Durrësin në vitin 1501, u tërhoqën në kështjellë, por u dorëzuan shpejt pas disa gjyleve. Spanjollët, të cilët e cilësonin qytetin si një strofkë piratësh, e plaçkitën atë duke marrë me vete qindra skllevër dhe 40 topa kështjelle. Në largim, spanjollët shpërthyen depot e barutit, duke e shkatërruar qytetin.

Frika nga përsëritja e një pushtimi të tillë e detyroi administratën osmane të qytetit të marrë masa fortifikuese dhe të ndërtojë një ballinë të re të pathyeshme nga sulmi detar, e cila sipas arkeologut Eduard Shehi përfshin dhe kullën rrethore pranë portit të Durrësit, që gabimisht është identifikuar si veneciane prej gati një shekulli.

“Nga krahasimi i elementeve stratigrafike e strukturore si dhe nga burimet arkivore, Torra është një ndërtim i periudhës osmane,”  tha Shehi në një intervistë për BIRN, disa muaj pasi përfundimet e arritura prej tij për fortifikimin u publikuan në revistat e specializuara shkencore “Studime historike” dhe “Monumentet”.

Shehi ngulmon se studimet arkeologjike dhe historike janë një proces evolutiv, pasi ndryshe nga shkencat ekzakte, intepretimi në këtë rast bëhet në bazë të të dhënave që disponohen në një moment të caktuar.

“Saktësimi i datimit të torrës nuk i ul vlerat e saj monumentale si një simbol i qytetit,” nënvizoi prof. as. dr. Shehi, duke shtuar se “nuk është data e ndërtimit ajo që i jep vlerë dhe jetë një monumenti.”

Kulla rrethore, 100 vjet datime të gabuara

Arkeologu austriak, Arnold Schober – i cili ka ardhur në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, duke u bazuar në teknikën e ndërtimit e datoi torrën e Durrësit si kullë të periudhës osmane.

Më pas, arkeologu francez Leon Rey, megjithëse i mungonin dokumentet arkivore, ka dhënë me dyshim një datim të mundshëm të periudhës venedikase, bazuar në provat krahasuese me kulla të ngjashme në Selanik dhe Dardanele- të cilat njiheshin si ndërtime venedikase.

Edhe prof. Gjerak Karaiskaj, i njohur si një nga studiuesit më të mirë të fortifikimeve në Shqipëri, e ka ngushtuar datimin e torrës brenda dhjetëvjeçarëve të administrimit të Durrësit nga venecianët.

Ky koncept ka vazhduar deri në vitet 1990, kur osmanologu Michael Kiel publikoi një sërë arsyesh që e vinin moshën e saj pas pushtimit osman të vitit 1501.

Në vitin 2017, bastioni fotifikues në të cilin bënë pjesë torra u bë pjesë e gërmimeve të shpëtimit pas hapjes së themeleve të projektit ‘Veliera’ në hyrje të portit të Durrësit.

Sipas Eduard Shehit, këto gërmime zbuluan se linja juglindore e bastionit, pjesë e së cilës është edhe Torra, ka patur një seri lëvizjesh, shtesash dhe ndryshimesh, që sugjerojnë se torra është ndërtim i periudhës osmane.

“Datimi i torrës ‘veneciane’ është shembulli më tipik i ngurtësimit  të një ideje të caktuar në mentalitetin e kërkuesve dhe të qytetarëve,” tha Shehi.

Zbulimet sjellin të dhëna të tjera për fortifikimin e qytetit

Brenda sheshit prej disa qindra metra katrorë që tashmë dominohet nga ura e Velierës, në fillim të vitit 2017 u zbuluan struktura muresh dhe elemente të kulturës materiale, që i përkasin ndërtimeve romake, atyre mesjetare si dhe bastioni i periudhës osmane.

“Gjetjet e sondazheve të vitit 2017 treguan se fortifikimet e antikitetit të vonë në shekujt 4-6-të të erës sonë në Durrës nuk janë vendosur mbi ato të periudhës romake, siç kam menduar edhe unë më parë,” shprehet për BIRN arkeologu Eduard Shehi.

“Me këto zbulime u provua se gjatë kësaj periudhe fortifikimet janë ndërtuar tërësisht të reja, duke realizuar ndryshime masive të territorit,” shtoi ai.

Tre elementë fortifikues të qytetit të Durrësit gjatë periudhës romake janë kalaja, një kështjellë e vogël që mbronte portin dhe një mur mbyllës në prapatokë afër stadiumit të sotëm.

Fortifikimet e antikitetit të vonë që erdhën më pas, u vendosën mbi muret ekzistuese vetëm aty ku ishte e mundur, por koncepti i ndërtimit tashmë kishte  ndryshuar.

Kësaj periudhe i përkasin dy linjat e fortifikimit të njohura si rrethimi i madh dhe ai i vogël bizantin. Perimetri i dytë është përdorur edhe gjatë periudhës mesjetare, deri në pushtimin Osman të vitit 1501, atëhere kur në disa faza u ndërtua kalaja me një të tretën e territorit të mëparshëm.

Prof.  Shehi thotë se ndryshimet më të mëdha planimetrike i ka pësuar linja juglindore e fortifikimit, nga Torra apo kulla rrethore deri te bastioni këndor, që dikur ekzistonte ku sot ndodhet selia e Bankës Kombëtare Tregtare.

Duke qenë ballina e qytetit nga deti, por edhe vendndodhja e portit, kjo zonë ka patur ndërhyrje ndërtimore nga më të ndryshmet, shpjegimi evolues i të cilave vazhdon të jetë në proces.

Duke sqaruar ndryshimet e fortifikimeve të Durrësit në shekuj, Shehi thotë se ato vareshin nga fuqia ekonomike e pushtetit qendror që kontrollonte qytetin, por edhe nga evolucioni i artit ushtarak.

Për këto arsye, identifikimi i qartë i planimetrisë së kësaj linje, evolucioni dhe kronologjia e tyre mbetet një nga aspektet më të vështira studimore.