Policia e Vlorës ekzekutoi të enjten masat e arrestit për 5 oficerë të Rojes Bregdetare, të cilët pas operacionit të shpëtimit të një gomoneje me 55 refugjatë dyshohet se lejuan largimin e skafistëve që drejtonin mjetin.
Gjykata e Vlorës caktoi masë sigurie “arrest me burg” për 5 marinarë e anijes “Bora” të Rojes Bregdetare, të cilët akuzohen se gjatë operacionit për shpëtimin e 55 refugjatëve nga Lindja e Mesme në janar 2021, lanë të largohej skafistët që akuzohen për trafik të qenieve njerëzore.
Masat e sigurisë së gjykatës u zbatuan mëngjesin e të enjtes nga policia e Vlorës, që njoftoi arrestimin e komandantit të anijes Bora, Bledar Bufaj dhe marinarët Roland Çanaj, Ardit Alikaj, Sejfulla Beja dhe Besmir Meçaj. Pesë roje bregdetare të Forcës Detare, akuzohen nga Prokuroria e Vlorës për “shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë këta persona “kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë̈ personave të evakuuar gjatë operacionit, konkretisht drejtuesin e mjetit lundrues (gomone), i cili ka mundur të largohej, shtetasin E. L.(A.), një ndër tre të arrestuarit nga Policia, në muajin janar”.
Edmond Dëmaj, avokati mbrojtës i njërit prej të arrestuarve e cilësoi ndalimin të paligjshëm dhe tha se akuza nuk kishte bazë, pasi rojet bregdetare nuk kanë të drejtë të bëjnë arrestime.
Dëmaj i tha BIRN se marinarët ishin paraqitur sa herë ishin thirrur prej prokurorisë dhe se ndalimi disa muaj pas ngjarjes ishte në fakt një përpjekje për t’i vënë ata nën presion. Ai tha se ndër të arrestuarit kishte marinarë që nuk ishin në kuvertën e anijes dhe nuk kanë dijeni se çfarë kishte ndodhur.
Në 19 janar policia arrestoi Emiljano Likaj, një prej të dyshuarve si drejtues i gomones. Ndërkohë më herët u ndaluan dy pronarë hotelesh që dyshohet se kishin strehuar refugjatët për llogari të trafikut. Në total me 5 rojet bregdetare, numri i të arrestuarve për ngjarjen shkon në 8.
Oficerët e Rojes bregdetare ndërhynë në mbrëmjen e 8 janarit 2021 në grykëderdhjen e Vjosës pas një sinjali SOS nga gomonja që ishte fundosur për shkak të dallgëve. Operacioni i shpëtimit nxori në breg 55 refugjatë kryesisht nga Siria, të cilët ishin nisur drejt Italisë. Një pjesë e refugjatëve dolën në breg me plagë djegie prej bashkimit të karburatit me ujin e kripur.
Por ndërsa u shpëtuan bashkë me të tjerët në gomone, dy shtetas shqiptarë që dyshohet se drejtonin mjetin nuk u zbritën në breg dhe dyshohet se u lanë të largoheshin
Trafiku i njerëzve përmes detit, një mision i rrezikshëm që ka shkaktuar qindra viktima edhe në Shqipëri, u rikthye vitin e kaluar me gjasë për shkak të fluksit të madh të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut të cilët kërkojnë të mbërrijnë me çdo kusht në vendet e Bashkimit Europian.