Lajm17 Oct 2021

Arrestohet në Tiranë ish-drejtori i Kadastrës së Vlorës

Klodian Troci u ndalua në vijim të një hetimi të Prokurorisë së Vlorës për tjetërsimin e disa sipërfaqeve prona publike në zonën e Himarës, ndërsa iu sekuestruan edhe 60 mijë euro në banesë.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Zyrat e Agjencisë së Kadastrës në Vlorë. Foto Jerola Ziaj.

Pesë ditë pasi zyrat e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Vlorë u grabitën, prokuroria e qytetit njoftoi arrestimin e ish-drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës bë Vlorë Klodian Troci. Troci është i katërti i arrestuar pas ndalimit të Bardhyl Gjikës, drejtues i zyrës së grabitur, një specialisti të kësaj zyre dhe një qytetari të akuzuar për falsifikim ndaj të cilëve gjykata caktoi masën e arrestit me burg.

Troci për cilin ishte lëshuar një urdhër arresti mëngjesin e të dielës u gjet në Tiranë dhe pas kontrollit në shtëpinë e tij në kryeqytet dhe atë Vlorë u sekuestruan 60 mijë euro cash, ndërsa prokuroria njoftoi se kishte gjetur edhe dokumente. Një burim në dijeni të hetimit, i cili kërkoi t’i ruhej anonimati, i tha BIRN se ishin gjetur edhe 60 Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi të vulosura dhe të pa plotësuara.

“Kjo masë sigurimi rezulton të jetë ekzekutuar prej shërbimeve të policisë gjyqësore më datë 17.10.2021. Gjatë kontrollit të banesës të shtetasit K.T.rezulton se janë gjetur e sekuestruar prova të shumta materiale, si dhe një shumë prej 60.000 Euro”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Vlorës.

BIRN mësoi se zyrtarët e arrestuar dhe të tjerë persona nën hetim ishin përfshirë në një skemë të tjetërsimit të pronave publike. Tjetërsimi përfshinte Kadastrën dhe zyrën e Administrimit dhe të Mbrojtjes së Tokës në Vlorë, të cilat kanë për detyrë të verifikonin dokumentet e pronësisë së qytetarëve dhe rregjistronin pronat. Siç u mësua dokumente të flasifikuara ose me probleme verifikoheshin si të rregullta në zyrat e qarkut dhe pavarësisht problemeve, pronat regjistroheshin në Kadastër. Më pas ato i nënshtroheshin disa shitjeve të njëpasnjëshme.

Një burim në dijeni të hetimit i tha BIRN se bëhej fjalë për transaksione që kapnin vlerën 4-5 milion euro.

“Për një numër të konsiderueshëm praktikash, ndonëse është konstatuar prej tyre se dokumentet pronësorë të shtetasve, kishin ndërhyrje të karakterit falsifikues në formë dhe përmbajtje, i kanë njehsuar ato, duke i konfirmuar dhe përcjellë shtetasve ose institucioneve kërkuese”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Troci në dy vjetët e fundit ka drejtuar dy herë zyrën e Kadastrës në Vlorë, sëpari për mbi një vit deri në shtator të vitit 2019 si i komanduar dhe sëfundmi rreth 1 vit pas dorëheqjes së Jurgen Pilkapit. Ndërkohë në periudhën e ndërmjetme mes punëve si drejtues i ASHK-së Troci drejtoi edhe zyrën e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut në Vlorë.

Konfliktet për pronat në bregdetin e Himarës, në të cilin janë dhënë nga qeveria leje për ndërtimin e disa resorteve luksoze, u bënë shkak për ndryshimin e 10 drejtuesve në ASHK-në e Vlorës për 2 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *