Lajm17 Oct 2017

Artistët shqiptarë mblidhen kundër HEC-eve në lumin Vjosë

Një grup muzikantësh dhe artistësh do të mblidhen të mërkurën në Tiranë në një koncert proteste kundër ndërtimit të HEC-eve në lumin Vjosë.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Koncerti me moton “Mos ma prek Vjosën” do të mbahet në orën 19:00 në sheshin Skëndërbej, dhe ka për qëllim të ndërgjegjsojë publikun e gjerë dhe vendim-marrësit mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë natyrore të vendit tonë, si dhe mbrojtjen e lumit Vjosa nga planet për ndërtimin e hidrocenteraleve.

“Arti nuk është shpëtimtar i botës, gjithashtu jo domosdoshmërisht mund të përmirësojë mëkatet e vendim-marrësve kundrejt shoqërisë, tokës, natyrës, ujit apo çfarëdo situate të pasigurtë jetësore! Arti, fal vetëm zërin paqësor, për të sensibilizuar, ndërgjegjësuar ndaj pasojave të pariparueshme kolektive, për të cilat gjithkush duhet të luftojë, në momentin dhe kohën e duhur,” shprehen artistët në mesazhin e tyre.

“Ne jemi këtu për të bashkuar njerëzit në kauzën për mbrojtjen e Vjosës dhe ftojmë të gjithë të mblidhemi tok, dhe përtej 1001 halleve që ka shoqëria e vendi ynë ti japim zë kësaj kauze,” shtuan ata nëpërmjet një njoftimi për shtyp të martën.

Koncerti përfshin këngëtaret dhe muzikantët Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo, Grupi Polifonik Lunxhëria, Blerat & Besfort Këpuska, Dj. ODA.

Ky koncert mbahet një vit pas koncerteve protestë me temë mjedisore, “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“

Sipas shkencëtarëve, lugina Vjosës përbën një habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh që janë shumë të rralla ose janë zhdukur fare nga lumenjtë e tjerë të Evropës. Megjithatë, shumë prej këtyrë gjallesave tashmë kërcënohen të zhduken nga ndërtimi i planifikuar i hidrocentralit të Poçemit dhe ai i Kalivaçit.

Pavarësisht premtimit elektoral të kryeministrit Rama për shpalljen e Vjosës park kombëtar dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve, në korrik 2015, Këshilli i Ministrave i hapi rrugën procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentralit të të Poçemit, megjithë kundërshtinë e aktivistëve mjedisorë dhe atë të banorëve që jetojnë përgjatë rrjedhës së lumit.

Në nëntor 2016, Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit dhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji”.

Një muaj më vonë, tre organizata mjedisore – EcoAlbania nga Shqipëria, Riverwatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania – ngritën një padi gjyqësore kundër projektit të Poçemit.

Në një vendim të paprecedentë në 2 Maj 2017, Gjykata e Administrative në Tiranë pranoi padinë e banorëve dhe të aktivistëve, duke gjetur se procedurat e ndjekura në dhënien e kontratës koncesionare, përfshirë procesin e konsultimit publik, qenë bërë në shkelje të ligjeve shqiptare si dhe legjislacionit të Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit.

Pavarësisht fitores së arritur nga aktivistët dhe banorët e Vjosës, tre javë pas vendimit të Gjykatës Administrative, qeveria hapi një tender të ri për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi lumin Vjosë.