Në nxitimin për të zbutur emergjencën e pandemisë së COVID-19 mbi shëndetin publik, qeveritë jo-liberale në të gjithë botën janë duke testuar kufijtë e të drejtave civile dhe ato të kontrollit dhe balancës së demokracisë. Siç historia e ka treguar herë pas here, nuk ka moment më të mirë sesa një emergjencë për autokratët që synojnë të konsolidojnë pushtetin.
“Zoti dhe njerëzit janë burimi i të gjithë pushtetit… Unë e kam marrë atë dhe dreqi e mori, do ta mbaj përgjithmonë,” deklaroi François Duvalieri i Haitit në vitit 1963, i njohur gjithashtu si “Papa Doc”. Dhe kështu bëri, duke qëndruar President deri në vdekjen e tij në vitin 1971, kur u pasua nga i biri, Jean Claude – “Baby Doc”, i cili e zgjati diktaturën me 15 vjet të tjera.
Kjo mund të duket si histori e lashtë. Por jo për mua. Familja ime është nga Haiti dhe ndonëse emigruam në Shtetet e Bashkuara gjatë fëmijërisë sime, ne mbetëm përgjithmonë nën ndikimin e regjimit të pamëshirshëm të Duvalierëve.
Unë nuk i harrova asnjëherë leksionet brutale që Haitianët mësuan nën regjimin e tyre, përfshirë mënyrat se si ata përdorën rregullisht fatkeqësitë natyrore dhe krizat kombëtare për të forcuar ngopjen e tyre me pushtet.
Ne duhet t’ia vëmë veshin këtij leksioni sot. COVID-19 është kërcënim jo vetëm për shëndetin publik, por edhe për të drejtat e njeriut. Përgjatë historisë, kriza si kjo e tanishmja kanë shërbyer si pretekst i përshtatshëm që regjimet autoritare të normalizojnë impulset e tyre tiranike. Prindërit e mi ishin dëshmitarë të dorës së parë në Haiti. Ne të gjithë po e shohim sërish tani.
Kërcënimi i ri filloi në Kinë, ku përpjekjet fillestare të qeverisë prej kohësh autoritare për të mbuluar epideminë lejuan shpërndarjen e saj në të gjithë globin. Por vështirë se Kina është e vetmja. Në Indi, qeveria e kryeministrit Narendra Modi vendosi një shtetrrethim 21-ditor duke e njoftuar atë vetëm 4 orë përpara, duke mos lënë kohë për miliona njerëzit më të varfër të botës që të siguronin ushqim dhe ujë. Për më keq, autoritetet e zbatimit të ligjit në Indi e kanë përdorur që atëherë shtetrrethimin për të rritur diskriminimin ndaj myslimanëve të vendit.
Ndërkohë në Kenia dhe Nigeri, policia dhe forcat e ushtrisë kanë goditur këdo që duket se nuk u përshtat mjaftueshëm shpejt me protokollet e distancës sociale. Në Izrael, autoritetet iu bashkuan duzinave të qeverive të tjera në kufizimin e mbrojtjes së privatësisë deri në pikën e thyerjes, duke përdorur celularët për të gjurmuar lëvizjet e qytetarëve. Ndërsa në Hungari, kryeministri Viktor Orban, i cili konsolidon prej vitesh pushtetin e tij, ka shtyrë përpara një ligj që efektivisht e kodifikon statusin e tij si një diktator absolut.
Përgjigja e demokracive të botës ndaj këtyre shkeljeve me zor është ngritur në nivelin e një pëshpëritjeje. Që amerikanët të mos mendojnë se janë të imunizuar nga pushtime të tilla, ata duhet të marrin në konsideratë që në fund të marsit, Departamenti amerikan i Drejtësisë i kërkoi Kongresit fuqinë për të ndaluar qytetarët amerikanë (jo vetëm emigrantët e padokumentuar) pa gjyq, për një kohë të pacaktuar.
Qeveritë që adoptojnë masa të tilla i justifikojnë ato si të domosdoshme për të luftuar pandeminë. Por historia na tregon se udhëheqësit jo-liberalë, rrallëherë, në mos asnjëherë, i lejojnë fuqitë e tyre të emergjencës të skadojnë.
Që të jemi të qartë, çdo qeveri ka për detyrë t’i përgjigjet me forcë katastrofës ndaj shëndetit publik dhe kjo përgjigje mund të kërkojë kufizime të përkohshme, por të konsiderueshme në veprimet e qytetarëve. Por shumë prej politikave të adoptuara nga liderët autokratë në javët e fundit nuk janë vetëm antidemokratike; por edhe kundërproduktive në luftën kundër pandemisë.
Për shembull, larg nga parandalimi i përhapjes së sëmundjes, shtypja e lirisë së medias e bën shumë më të vështirë rritjen e ndërgjegjësimit për mënyrën se si publiku duhet të reagojë. Po kështu, ndalimi i civilëve pa gjyq dëmton besimin në qeveri pikërisht në kohën kur nevojitet më shumë. Dhe anulimi i zgjedhjeve heq çdo nxitje të liderëve politikë për të vendosur interesin e publikut të parin.
Ndërsa luftojmë COVID-19, ne duhet gjithashtu të bëjmë gjithçka mundemi për të mbrojtur shëndetin e demokracive tona. Për më tepër duhet të kuptojmë se në shumë mënyra, mbrojtja e shëndetit publik dhe mbrojtja e demokracisë janë dy fronte të së njëjtës betejë.
Fatmirësisht, organizatat e shoqërisë civile dhe individët nuk janë të pafuqishëm përballë goditjeve të pandemisë. Pas më shumë se tre dekadave në mbrojtje të demokracisë, ne në Open Society Foundation kemi mësuar disa leksione të dobishme.
Si fillim, duhet të përdorim çdo mjet të disponueshëm për mbrojtjen e lirive civile. Ndërsa pandemia kërkon distancim social, ajo nuk justifikon brutalitetin policor dhe shpërdorimin e pushtetit qeveritar. Në momentin që liderët politikë kufizojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të protestuar, ose nuk pranojnë kontrollin mbi pushtetin e tyre, rreziku për rrëshqitje drejt autoritarizmit bëhet real. Qeveritë që fillojnë të testojnë këta kufij duhen mbajtur menjëherë përgjegjëse.
Leksioni i dytë është se ne duhet t’u rezistojmë fajësimeve. Në përgjigje ndaj pandemisë, shumë qeveri kanë provuar ta etiketojnë COVID-19 si një virus “kinez”, duke bërë gati skenën për mbikëqyrje dhe stigmatizim të njerëzve me origjinë nga Kina.
Si një haitiano-amerikan, kam qenë dëshmitar i një persekutimi të tillë gjatë krizës së HIV/AIDS në vitet ’80, kur Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi se AIDS po transmetohej nga “homoseksualët, përdoruesit e heroinës, hemofilikët dhe haitianët”. Si pasojë e atij mesazhi joshkencor dhe të njëanshëm, Shtetet e Bashkuara filluan të ndalonin azilkërkuesit nga Haiti në një kamp të tmerrshëm burgu në Gjirin e Guantanamos, çka në të vërtetë i minoi përpjekjet për parandalimin e shpërndarjes së HIV-it.
Në fund, ne duhet të trajtojmë pabarazitë ekonomike dhe sociale që pandemitë kanë tendencën të përkeqësojnë. Për të parë se si koronavirusi e ka nxjerrë lakuriq pabarazinë e thellë të Amerikës, mos kërkoni më larg se Rikers Island, burgu kryesor i Nju Jorkut, i cili ka tashmë shkallën më të lartë të infeksionit në planet. Më gjerësisht, kriza po demonstron edhe një tjetër herë se shumë familje amerikane nuk kanë qasje në shërbimin shëndetësor, në raporte mjekësore të paguara, në mbrojtjen e punëtorëve, kursime personale apo nevoja të tjera bazike.
Ndonëse po përballemi me sulme të reja mbi demokracinë dhe të drejtat themelore, ne duhet ta përdorim këtë moment për të njohur të gjitha mënyrat se si shoqëritë tona po zhvishnin nga të drejtat qytetarët, refugjatët, emigrantët, azilkërkuesit që përpara goditjes së pandemisë.
Po, shqetësimet mbi gjendjen e demokracisë nuk janë shqetësimi kryesor i njerëzve këtë periudhë. Por nëse mbrojtja e demokracisë nuk është në listën tënde personale të “gjërave për të bërë”, është e sigurt të supozoni se nuk është në listën e askujt tjetër gjithashtu.
Mjerisht, shumë prej atyre që janë në pushtet nuk do të marrin kurrë përsipër vetë që të mbrojnë të drejtat tona. Ne duhet ta bëjmë këtë për veten tonë. Demokracia është shumë më tepër sesa thjesht sistemi i qeverisjes; është lentja përmes së cilës mund të shihet bota dhe vendi i secilit në të. Nëse e thyejmë këtë lente gjatë një emergjence, ne mund të mos e shohim veten kurrë në të njëjtën mënyrë sërish.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Viral Authoritarianism